Pak ditë më parë i dha shtetësinë shqiptare, Ilir Meta fjalë të ndjera për Vokrrin

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

Marketing

Kreu i shtetit shqiptar e quan një lajm tronditës për shumë shqiptarë që e kanë adhuruar talentin e tij. Fadil Vokrri vetëm pak ditë më parë, mori shtetësinë shqiptare me firmë të presidentit Meta, dhe me kërkesë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo u bë në shenjë shpërblimi dhe mirënjihje për kontributin që ai ka dhënë në futboll.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ndërroi jetë sot, në moshën 57-vjeçare, pas një sulmi në zemër

Çfarë shkruan Meta për Vokrrin

Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe ekipeve të njohura europiane të Partizanit të Beogradit, Fenerbahçe e madje edhe të përfaqësueses së ish-Jugosllavisë.

Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Pak ditë më parë pata kënaqesinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare. Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbarë botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!