Nesër behën tre muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendos taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, shkruan lajmi.net.
E deri te ky vendim, Qeveria tha se ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Që nga 21 nëntori i vitit 2018 e deri më sot, sipas Doganës së Kosovës në vendin tonë nga këto dy shtete janë importuar rreth 770 mijë euro mallra.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë për lajmi.net se në tërë këtë periudhë kohore nga Serbia e Bosnja në Kosovë është importuar kryesisht lëndë e parë.
“Deri më sot vlera e mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja është rreth 770 mijë euro të cilat po aq kanë paguar edhe masën mbrojtëse. Kryesisht lëndë e parë”, ka thënë Stavileci për lajmi.net.
Mirëpo, pavarësisht vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës, në vendin tonë mallrat e Serbisë vazhdojnë të jenë prezentë.
Gjatë ditës së sotme ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë përmes rrugëve alternative.
Lajiq ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë, se nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme.
“Ka raste kur gruri ynë shkon në Kroaci, prej atje paketohet dhe transportohet në Kosovë si mall i Kroacisë”, është shprehur Lajiq.
Lajmi.net ka dërguar pyetje në Doganën e Kosovës edhe për këtë deklaratë të ministrit serbe mirëpo, në lidhje me këtë Dogana nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Në lidhje me deklaratën e ministrit serb, Lajiq, ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe në dhjetor të vitit të kaluar.
“Këtë e kam paralajmëruar në dhjetor. Në raste të tilla, fillon zbatimi i praktikave që në “zhargonin” e tregtisë nderkombetare, njihen si “trade circumvention”. Efekti i taksës zbehet, nëse nuk ka kapacitetet inspektuese dhe impelementuese. Duhet veprime konkrete për luftim të kontrabandës dhe manipulime të mundshme me origjinën e mallit”, ka shkruar Rukiqi.
Po ashtu, lajmi.net kishte raportuar javë më parë për prezencën e mallrave serbe në Kosovë e që Dogana dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk janë në dijeni se si janë futur në vendin tonë këto mallra.
Kujtojmë se që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.