Pakënaqësi në degët e ASH-së në Shkup, pas emërimit të Zudi Kokës!?

Zudi Enuzi Koka është emëruar u.d. drejtor i ri i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup.

Marketing

Ndërkaq ky emërim ka gjetur kundërshtim në disa degë brenda Aleancës për Shqiptarët në Shkup. Në një prononcim për media, ata thonë se njëherë nuk do të dalin publikisht për t’u dorëhequr – pasi do t’i japin pak kohë kryeisë së partisë, por theksojnë se së shpejti mund të ndodh një gjë e tillë.

Sipas tyre edhe dega e ASH-së në Çair nuk është përfillur pasi kryetari Ziadin Sela “kokë me vete” e ka vendosur vetë për Zudi Kokën të jetë në këtë pozitë të qytetit të Shkupit. Pos në këtë degë, aktivistë të kësaj partie, pohojnë se pakënaqësi ekzistojnë edhe në degët e tjera si në: Gazi Babë, Shuto Orizare dhe Saraj, gjë që pritet ky vendim Selën dhe ASH-në ta dëmtoj, sepse ata ditëve në vijim kanë paralajmëruar dorëheqje nga strukturat dhe ngrirje në aktivitetet e ASH-së.

“Na vjen keq por disa veprime të Ziasin Selës nuk dallojnë me ata të Menduh Thaçit duke bërë emërime kokë më vete, kështu duke anashkaluar degët e nëndegët. E aq më pak veprime të tilla ta pmenduara mirë nuk duhen në këtë kohë – mu tani kur “Alternativa” është pjesë e qeverisë dhe është në ‘gjah’ të aktivistëve opozitarë, me çka mund lehtë të marrë edhe aktivistë të ASH-së, se sa ta dëmtoj BDI-në”, – thonë aktivistët e pakënqur në degën e Shkupit pas vendimit për emërimin e Kokës në postin e drejtorit.

Ndryshe, siç bëri të ditur Qyteti i Shkupit, Zudi Enuzi Koka është jurist i diplomuar dhe menaxher i dëshmuar në botën afariste, i cili kompetencat e tij do t’ vërë në funksion të menaxhimit të suksesshëm të NP “Higjiena Komunale” – Shkup.