“Pala prishtinase të vijë në vete”, Vuçiç flet me Macron për situatën në Kosovë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka folur në telefon me Presidentin francez Emmanuel Macron, të shtunën, të cilit i ka kërkuar që “të bëjë përpjekje shtesë që pala prishtinase të vijë në vete dhe të kthehet në kornizën e bisedimeve konkrete”.

Marketing

“Si gjithmonë një bisedë e hapur dhe serioze me presidentin Emmanuel Macron, të cilit i kam prezantuar pasojat e zhvillimit të rrezikshëm të situatës në Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.

Vuçiç ka theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe ruajtjes së paqes, edhe pse, siç tha ai, “komuniteti serb në Kosovë është i vetmi grup etnik në Evropë që është i ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme”.

“I kërkova presidentit Macron që të bëjë një përpjekje shtesë në mënyrë që pala prishtinase të vijë në vete dhe të kthehet sa më shpejt në kuadrin e bisedimeve konkrete ”, ka shkruar Vuçiç.

Ai shtoi se falënderoi Macronin për gatishmërinë e tij për të dëgjuar Beogradin, si dhe për vendosmërinë e tij për të bërë përpjekje shtesë për të “zgjidhur situatën jashtëzakonisht komplekse dhe mbi të gjitha të rrezikshme në Kosovë dhe Metohi”.