Palmer: Maqedonia e Veriut është shembull i mirë për Prishtinën dhe Beogradin

Zëvendës ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer deklaroi se Prishtina dhe Beogradi në zgjidhjen e problemit të Kosovës mund të shërbejnë me shembullin e Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Palmer në një intervistë për Radio Evropa e Lirë – BeH, duke u përgjigjur në pyetjen për rreziqet e sigurisë në rajon dhe rolin e SHBA-së në pajtimin e tyre, tha se Washingtoni është i përkushtuar në partneritetin e tij dhe se ekzistojnë qëndrime të kundërta në rajon, por edhe se janë hapur suksese të rëndësishme.

“Si një shembull me të vërtetë i mirë për këtë, do të sugjeroja në Marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë. Atë që e tregoi Marrëveshja e Prespës është se sa është e rëndësishme udhëheqja. Bashkësia ndërkombëtare këtë nuk e ka bërë vetë. Ne e kemi mbështetur këtë. Këtë e kanë arritur kryeministrat dhe ministrat e punëve të jashtme të dy vendeve dhe të dyja palët kanë ndërmarrë rrezik të konsiderueshëm politik. Gjetën kompromis dhe ia dolën. Dhe me këtë e hapën rrugën drejt ardhmërisë evropiane për Maqedoninë e Veriut, dhjetëra anëtarë të Aleancës tani më e kanë ratifikuar marrëveshjen për inkuadrimin e vendit”, deklaroi Palmer.

Ai shfaqi shpresë se Këshilli i Evropës do të sjell vendim për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut.

“Me të vërtetë është dashur shumë guxim që të arrihet kjo marrëveshje, por ky guxim tani po shpërblehet. Shpresoj se liderët e Prishtinës dhe Beogradit do të marrin mësim nga ky shembull dhe se do të nisen në rrugën e kompromisit dhe gjetjes së një vendimi të mirë”, ka thënë Mathew Palmer.

Ai mesazhin e njëjtë e dërgoi edhe deri tek liderët e Bosnjës e Hercegovinës për të marrë përgjegjësi dhe të jenë të gatshëm për kompromis, por edhe për rrezik, vetë t’i zgjidhin problemet.

Në pyetjen për ndikimin gjithnjë e më të madh të Rusisë dhe të Kinës në rajon, Palmer deklaroi se rajoni është një prej prioriteteve të SHBA-së dhe ashtu do të mbetet.

“Prandaj, ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në këtë rajon. Mendoj se vizioni i SHBA-së dhe i BE-së për këtë rajon është i ndryshëm nga vizioni i Rusisë. ne duam të shikojmë një rajon i cili funksionon sipas rregullave, parimeve, i cili funksionin në harmonizim me institucionet dhe në mënyrë transparente. Rusia, nga ana tjetër ndoshta më shumë dëshiron të shohë rajonin të ndarë, të fraksionuar, në të cilin mbizotërojnë tensionet. Për fat, vizionin që e ndan SHBA-ja dhe BE-ja është i njëjtë si edhe vizioni i vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët duan sukses dhe avancim. Por, kuptohet, Rusia do të vazhdojë me veprimin e saj si deri më tani dhe me ndikimin e saj negativ, që kishim mundësi ta shohim kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Prespës”, deklaroi Palmer.

Marketing