Nëse Bashkimi Evropian nuk sjell datë për negociata aderuese në qershor, kjo do të ndodh në korrik ose tetor, deklaroi në intervistë për Zërin e Amerikës, Methju Palmer, zëvendës ndihmësi sekretar shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Evroazi.
“E di se do të ketë probleme të caktuara lidhur me kohën e marrjes së vendimit në Bundestag. Nuk e di nëse fokusi do të jetë të merret vendim në qershor ose potencialisht në korrik, varësisht nga procedurat e brendshme në Bundestag. Megjithatë, SHBA-ja shpreson dhe e përkrah Këshillin Evropian që t’i hapë negociata aderuese”, tha Palmer.
Ai thotë se implementimi i Marrëveshjes nga Prespa është realizimi më i madh diplomatik për Ballkanin Perëndimor pas Dejtonit, dhe do të varet drejtpërdrejtë nga anëtarësimi në BE, transmeton MEDIAL.
“Besojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që ta vazhdojë përparimin në plotësimin e reformave. Kur dhe nëse Këshilli Evropian pajtohet t’i fillojë negociatat, jemi të bindur se madje edhe atëherë Shkupi do t’i vazhdojë këto përpjekje, pasi vet procesi aderues do të sigurojë mundësi për reforma të mëtejshme”, vlerëson Palmer.
Megjithatë, edhe krahas përparimit të konsiderueshëm, ai potencoi se shteti ka edhe shumë punë në zbatimin e reformave.
“Sfidë kryesore jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në tërë rajonin është sundimi i së drejtës. Sundimi i së drejtës është nëna e të gjitha reformave, në kontekst të integrimit evropian dhe krijimit të klimës për paqe, prosperitetit dhe stabilitetit”, thotë Palmer.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO nuk do ta zvogëlojë tërësisht ndikimin rus në rajon, por do ta përforcojë rezistencën e shteteve ndaj agresionit rus.
“Mendoj se kohë të gjatë rusët tregojnë përkushtim në fushatën agresive me dezinformata në rajon. Ende ka përpjekje agresive edhe në Mal të Zi, edhe pse është anëtar i NATO-s”, vlerëson Palmer.
Pret që Senati i SHBA-së ta ratifikojë Protokollin aderues për hyrje në NATO në kohë sa më të shpejtë.
“I inkurajoj njerëzit që ta marrin parasysh fotografinë e madhe, e ajo është se procesi për NATO po lëviz përpara, dhe atë shumë më shpejtë se sa pritet, ndërsa nëse BE-ja nuk sjell datë për negociata në qershor, kjo do të ndodh në korrik ose tetor. Unë fuqimisht i inkurajoj politikanët dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të mbeten të bashkuar në këtë proces, të mbeten të përkushtuar dhe të kenë besim se të gjithë ne jemi të përkushtuar për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, deklaroi Methju Palmer, zëvendës ndihmësi sekretar shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Evroazi. .