Palmer: SHBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar në atë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po bashkëpunojnë ngushtë dhe po punojnë për hyrjen e rajonit në BE, por edhe për integrimin e ndërsjellë të vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes nismës së ashtuquajtur “Mini Shengen”.

Marketing

Këtë sot në samitin e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Këshilli i Atlantikut e deklaroi Methju Palmer, Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

“Ne i shohim vendet e rajonit si anëtare të unionit, të cilat po bëjnë reformat e nevojshme për të arritur atë qëllim,” tha Palmer.

Ai shtoi se SHBA dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar ngushtë së bashku në këtë drejtim, duke përmendur disa shembuj.

“Ne po punojmë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të realizuar reformat e nevojshme për të bindur Këshillin Evropian që të hapë negociatat për anëtarësimin e të dy vendeve në BE”, tha Palmer.

Ai e përmendi edhe marrëveshjen e arritur më 5 qershor në Shqipëri mbi reformën zgjedhore në vend, si rezultat i partneritetit SHBA-BE por edhe marrëveshjen në Mostar, BiH, për zgjedhjet e para komunale në këtë qytet pas shumë vitesh.

BE dhe SHBA janë duke punuar për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve me angazhimin e Mirosllav Lajçak, Përfaqësuesit Special të BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd

“Vendet kanë një të ardhme transatlantike … dhe Uashingtoni po përpiqet që ata të punojnë më ngushtë së bashku me ide për të kapërcyer sfidat aktuale ekonomike dhe sociale, si dhe sfidat me Kovid-19”, tha Palmer.

Ai theksoi projektin “Korridoret e gjelbra”, për qarkullimin e lirë të mallrave midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili në të ardhmen mund të shtrihet në rrjedhën e mallrave me fqinjët si Kroacia, Hungaria apo Greqia.

I pyetur se si Shtetet e Bashkuara shikojnë investimet e shpeshta ruse dhe kineze në rajon, Palmer tha se Uashingtoni nuk është kundër investimeve “nëse ato nuk bazohen në praktika korruptive dhe nuk i shkelin ligjet”.

“Por gjëja më e rëndësishme është të respektohen ligjet … dhe se ekziston një klimë ligjore, siguri dhe institucione funksionale për të bindur investitorët e mundshëm të vijnë në rajon,” tha Palmer.