Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer.
Presidenti Thaçi dhe Palmer, siç njofton Presidenca e Kosovës, kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për zhvillimet politike në vend, për procesin e integrimeve euroatlantike, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, FSK-në dhe dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Duke folur për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se pas marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë është radha e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Është momentum i mirë për të arritur një marrëveshje historike, që siguron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi.
Nga ana tjetër, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, thuhet se ka siguruar presidentin Thaçi se SHBA-ja e mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi ka theksuar se SHBA-ja mbetet partneri më strategjik që ka Kosova në rrugëtimin e pandalshëm drejt anëtarësimit euroatlantik.
Ai ka falënderuar zyrtarin amerikan për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin popullit dhe shtetit të Kosovës.