Kultivuesit e bletëve nga i gjithë vendi janë mbledhur në sheshin e Shkupit, për të promovuar shumëllojshmëritë e mjaltit. Ky Panair i Bletarisë organizohet pas 30 vjetësh. Gjatë kësaj fundjave, qytetarët mund të shijojnë mjaltin e cilësisë së lartë, për të cilën bletarët thonë se shpenzojnë shumë e fitojnë pak.
Zëvendësimi i sheqerit të bardhë definitivisht është mjalti për shkak se është i shëndetshëm, i rigjeneron qelizat e trupit dhe ndikon pozitivisht në organizmin e njeriut. Madje duke e stabilizuar qarkullimin e gjakut dhe ritmin e zemrës- tha Marina Mitrevska, Bletare.
Nga Federata e Bletarëve thonë se në të kaluarën një familje e bletarisë ka kultivuar mesatarisht dhjetëra kilogram mjaltë në muaj, kurse tani mezi arrijnë të prodhojnë dy kilogram.
Për të arritur një prodhim cilësor duhet të investohet mund dhe para, por sa fitojmë gjithmonë është në pikëpyetje, sepse kemi edhe ndryshimet klimatike. Para disa vitesh kultivimi bletarisë ishte i keq në vendin tonë, por vitin e kaluar ishte diçka më mirë. Do të thoja në Maqedoni ende ka mungesë të mjaltit, për këtë arsye importojnë nga jashtë, por duhet të konsumohen produktet vendore- deklaroi Jane Markov, Kryetar i Federatës së bletarëve.
Kjo turiste nga Roma, thotë se në Shkup është në ditën e qëlluar pasi që është adhuruese e mjaltit.
Mund të shijosh mjaltin, me një shije ndryshe që nuk e kam shijuar më parë, kështu që është për bukuri. Është një përvojë e re. Kam qenë këtu dy-tri herë sepse babai im punon këtu- thotë Allegra Morelli, Turiste nga Italia.
Organizatorët e Panairit të Bletarisë thonë se bletaria është shndërruar në biznes familjar, duke u subvencionuar edhe nga programet IPARD për zhvillim rural, por nuk kanë të dhëna nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sesa është sasia e prodhuar vjetore nga kultivuesit vendorë.