Panairi online i librit, për herë të parë në Tetovë

Këtë vit për herë te parë, kompania tetovare për zhvillimin e softuerit REX Solution në bashkëpunim me Lidhjen e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni përmes Platformës së parë Shqiptare organizojnë iPanairin e librit Tetovë.

Marketing

Kjo platformë nuk ju dedikohet vetëm tetovarëve por edhe të gjithë lexuesve të Maqedonisë së Veriut të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin titujt e tyre të preferuar nga autorë shqiptarë dhe të huaj duke shkarkuar aplikacionin iPanairi në telefonat e tyre celularë.

Për shkak të situatës së pandemisë globale me virusin Covid-19, të gjitha aktivitetet kulturore në vendin tonë janë të pezulluara. Në këto kohë të vështira ku libri dhe dija janë mjetet më të fuqishme për ti kapërcyer pengesat e shkaktuara nga pandemia që ka tronditur botën, janë krijuar të gjitha kushtet për të pasur një panair online të librit që mund të sfidojë shumë pamundësi dhe ta bëjë leximin e librit aktivitetin më të dashur të të gjitha grupmoshave të lexuesve shqiptarë.

Rex Solution ka paraparë që porosia në Platformën e Panairit të librit të bëhet përmes aplikacionit iPanairi i cili mund të shkarkohet përmes skanimit të QR kodit të mëposhtëm. Pas regjistrimit te llogarisë në iPanairi, lexuesit mund ta bëjnë porosinë e titujve të preferuar. Librat e porositur do të dërgohen falas në adresat e porositësve dhe pagesa do të bëhet në momentin e pranimit të porosisë.

iPanairi i Librit Tetovë përveç karakterit kulturor ka edhe karakter humanitar. Organizatorët kanë paraparë që të hollat e grumbulluara nga shitja e librave t’ua dedikojnë fëmijëve në nevojë. Në këtë mënyrë, me çdo libër të blerë, lexuesi njëkohësisht do të kontribuojë edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së një fëmije në nevojë.