Pandeli Majko i bie pishman për deklaratën në Drenicë: Nuk fola për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Ministri i Diasporës të Shqipërisë, Pandeli Majko, përmes një shkrimi në Facebook ka sqaruar se deklarata e dhënë në Skenderaj për lëvizjen e lirë mes qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka të bëjë me Bashkimin Kombëtar. Lëvizja e lirë thotë se nuk kupton ndryshim të kufijve.

Marketing

Tema aktuale që po kryeson debatet në Kosovë dhe Shqipëri është ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve. Në këtë temë është kyçur edhe deputeti i PD-së, Tritan Shehu.

Shehu konsidenronte se ideja për ndryshimin e kufijve është hapur nga deklarata e Majkos. Por, Ministri mohon një gjë të tillë.

“Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë”, thotë Majko.

Më tej Majko thekson se lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë.

Majko javën e kaluar deklaroi se kryeministri shqiptar Edi Rama ka marrë vendim që nga 1 janari 2019 të mos ketë kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtij procesi dritë të gjelbër i ka dhënë edhe homologu kosovar i Ramës, Ramush Haradinaj

“Rrëzimi i kufirit” si term, përdoret në rastet e embargove… Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht”, përfundoi Majko.