Dyqane të mbyllura dhe lokale që jepen me qira…
Këto janë pamjet e Qendrës tregtare në qytetin e Tetovës.
Shumica e pronarëve as që e kanë marrë mundimin që t’i hapin, ndërsa të tjerët që i kanë hapur thonë nuk ka fare lëvizje. Shitësit bëjnë apel që ora policore të ndryshojë, pasi që muaji kalon, qiraja vjen, ndërsa ata nuk kanë punë aspak.
Pronar Dyqani: “Ne nuk punojmë fare, më në krizë që jemi ne nuk ka, ata dalin flasin në televizion, por le të dalin në terren ta shohin se si është puna. Patjetër qeveria duhet të na ndihmojë, se ne si i hapim ashtu edhe i mbyllim dyqanet, unë punojë vetë, por qira kemi, harxhime kemi, punë nuk ka, ata na thonë rrini në shtëpi a në anën tjetër nuk del askush që të punojmë ne.”
Pronar Dyqani: “Për momentin është shumë vështirë në Tetovë, lëvizje nuk ka të qytetarëve, jemi duke ndenjur tërë ditën, është orë policore, duhet të ketë masa të tjera se përndryshe ne s’mund i përballojmë.”
Ndërsa qytetarë të anketuar për masat e Qeverisë, thonë se janë korrekte.
Qytetar: “Janë korrekte dhe duke i respektuar ata do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e situatës dhe shëndetit tonë, masat janë korrekte ”
Qytetar: “Që kur ka filluar pandemia unë maskën e kam mbajtur, edhe dezinfektohem, pasi që unë jam i moshuar, jam edhe i sëmurë dhe këto më mbrojnë.”
Qytetar: “Mendoj se janë të duhura dhe mendoj se jemi afër për ta kaluar këtë dhe kërkoj nga qytetarët që të jenë më të vetëdijshëm dhe të respektojnë masat.”
Por edhe përkundër masave, kaosi para bankave është duke vazhduar. Pamjet tregojnë se as masat e shtabit të krizës së Tetovës, as kërkesa që çdo bankë të mbajë rend, as ndarja e pensioneve me datë të caktuar dhe as asistenca e ushtrisë siç duket nuk janë duke dhënë efekt.