“Pandora Papers”/ Biznismeni indian me pasaportë shqiptare që mashtroi për 2.1 miliardë dollarë

Një qytetar indian është shfaqur në skandalin e Pandora Paper, i cili lidhet edhe me Shqipërinë. Biznesmeni mashtrues Nitin Sandesara është përshkruar si maja e ajsbergut të një skandali gjigant financiar, i cili përfshin edhe Shqipërinë.

Marketing

Gjykata e Neë Dehlit ka lëshuar një urdhër ekstradimi për Nitin Sandesara dhe vëllain e tij, transmeton Indeksonline.

Ata besohet se janë në Shqipëri dhe kanë pasaporta shqiptare. Tutje siç raportohet, vëllëzërit Sandesara kanë ndërtuar edhe pallate në Tiranë.

Në vitet 2017-2018, agjencitë hetimore ishin duke i hetuar vëllezërit Sanesara dhe grupin e tyre “Sterling Biotech”, të cilët akuzoheshin për një mashtrim ku vlera e përfitimeve shkonte deri në 2.1 miliardë dollarë.

Dy vëllezërit Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara u arratisën nga India. Deri vonë autoritetet indiane besonin se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ishin arratisur në Nigeri. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Gjatë kohës që ishin në kërkim nga autoritetet indiane dhe skandali ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezërit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri.

Madje në 6 shkurt të vitit të kaluar, kur kërkoheshin në të gjithë planetin, ata kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit çdo individ i huaj kalohet në sitë nga shërbimi informativ shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit. Ky është dyshimi i parë i fortë se si SHISH ka lejuar dhënien e nënshtetësisë për dy persona, të cilët jo vetëm ishin në kërkim ndërkombëtar, por i kishin emrat të botuar në mediat ndërkombëtare për pastrim parash.

Por, këtu nuk mbaron skandali dhe dështimi i autoriteteve shqiptare. Siç shkruajnë mediat shqiptare, me ardhjen në Shqipëri në fund të vitit 2017, Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit, Tulja Real Estate dhe Laxmi Real Estate siç tregojnë dokumentet e regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit.

Të dy kompanitë janë të regjistruara me adresë në zonën e liqenit të thatë të Tiranës. Pikërisht në buzë të liqenit të thatë, Laxmi Real Estate është duke ndërtuar pallat bashkë me një kompani shqiptare, sic tregon leja e ndërtimit e dhënë nga Bashkia e Tiranës në nëntor të vitit të kaluar. Ndërtimi është cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zyra europiane për parandalimin e pastrimit të parave si sektori më me risk për pastrimin e parave në Shqipëri.