Papa Françesku lirohet nga spitali

Papa Françesku u largua nga spitali Gemelli në Romë pas pesë javësh, pasi u përball me pneumoni.

Pasi doli nga spitali, ai përshëndeti turmën e mbledhur dhe vetura me të cilën po udhëtonte u nis drejt një kishe në Romë dhe më pas në shtëpinë në Vatikan.

Në Vatikan, turma të mëdha njerëzish u mblodhën nëpër rrugë për të pritur Papën 88-vjeçar.

Të shtunën, mjekët njoftuan se Papa do të lirohej nga spitali, por ai, thanë mjekët, duhet të shmangë takime me grupe të mëdha njerëzish dhe të mos i shkaktojë vetes lodhje, raportojnë mediat italiane.

Pas një kohe, mjekët thanë se Ati i Shenjtë mund t’iu rikthehet të gjitha aktiviteteve të tij normale.

Argjentinasi, i cili kur ishte i ri kishte hequr një pjesë të mushkërisë, ishte shtruar në spitalin Gemelli më 14 shkurt, për shkak se gjendja e tij me bronkit u përkeqësua.

Mjekët fillimisht e diagnostikuan me një infeksion të frymëmarrjes dhe më pas thanë se ai kishte pneumoni në dy mushkëritë.

Analizat e gjakut shfaqën shenja të anemisë dhe probleme me veshka, por këto ndërlikime u përmirësuan pasi Papa iu nënshtrua dy trajtimeve me transfuzion të gjakut.

Më 28 shkurt gjendja e tij u përkeqësua, pasi pati probleme të frymëmarrjes dhe u desh të merrte oksigjen përmes një maske.

Ai po ashtu përjetoi dy kriza të frymëmarrjes disa ditë më vonë.

Marketing