Presidentët e SHBA-së dhe Rusisë telefonian përsëri së bashku për gjendjen në Ukrainë. Moska beson se Perëndimi mund të bëjë një “gabim kolosal”. E Bideni paralajmëron.
Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar edhe një herë kolegun e tij rus Vladimir Putin që të mos futet në aventura për pushtimin e Ukrainës. Në këtë rast, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të “përgjigjenin me vendosmëri”, tha Biden, kumtoi Shtëpia e Bardhë pas telefonatës së Biden me homologun e tij rus Putin.
Një zyrtar i lartë amerikan në Uashington tha se ata janë të gatshëm të vendosin sanksione të ashpra ekonomike ndaj Moskës. Përveç kësaj, prania e NATO-s në shtetet e saj anëtare lindore do të zgjerohej. Ukraina mund të llogarisë në ndihmë shtesë, përfshirë edhe ndihmën për forcat e saj të armatosura. Por SHBA-ja shpreson që Kremlini do të përcaktohet për uljen e tensioneve.
Moska nga ana tjetër kumtoi se Putin ka paralajmëruar Bidenin nga vendosja e sanskioneve më të ashpra ndaj Rusisë. Ky do të ishte një “gabim kolosal”, tha këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, pas bisedës së dy presidentëve që zgjati rreth 50 minuta.
Rusia ka hedhur poshtë pohimet se ajo planifikon të sulmojë Ukrainën. Vendosja e ushtarëve rusë pranë kufirit me ish-republikën sovjetike ka shkaktuar shqetësime të mëdha. Udhëheqja e Ukrainës po përballet për vite të tëra me kryengritje të armatosur nga separatistët pro-rusë në lindje të vendit.
Përparime në janar?
Gjatë telefonatës gati njëorëshe, presidetnët Biden dhe Putin folën edhe për marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve si dhe për negociatat e planifikuara të fillojnë me 10 janar, për garancitë e sigurisë nga perëndimi të kërkuara nga Moska. Moska ka kërkuar edhe heqjen dorë nga zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në lindje. Ushakov tha she pala ruse pret që në këto negociata të arrihen “rezultate”. Ndërsa zëdhënësja e Bidenit, Jen Psaki, e bëri të qartë: “Progres i rëndësishëm në këto bisedime mund të arrihet vetëm nëse më parë vie deri te ulja e tensioneve dje jo ngritja e tyre”. Por të dyja palët aktualisht janë optimiste se bisedimet në janar mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve./