Paralelja e re në shkollën ‘Imri Elezi’, Ademi: Zgjidhja e problemit, çështje ditësh

Shkolla Fillore “Imri Elezi” në komunën e Çairit, në të cilën këtë vit janë regjistruar 108 nxënës të ndarë në tre paralele, që tejkalojnë numrin maksimal, që është 34 nxënës, prandaj kërkon hapjen e një paraleleje të re.

Marketing

Prindërit shprehen të revoltuar, ata thonë se nëse nuk zgjidhet ky problem si shenjë revolte, ata do të protestojnë dhe do t’i ndalin fëmijët nga shkolla.
“Kushtet katastrofë, aty ku është djali im janë 36 fëmijë dhe një mësuese të merret me ata fëmijë. Fëmijët të cilët nuk dinë ta mbajnë lapsin në dorë, kjo është katastrofë. Do të bisedojmë me prindërit e do t’i ndalim fëmijët, kjo nuk është në rregull 36 fëmijë. Një ditë jemi vonuar, e kam dërguar djalin në klasë dhe nuk ka pasur vend ku të ulet dhe është ulur me një karrige të plastikës, që çantën nuk kishte ku ta lejë, e as në varëse nuk ka vend në klasë për t’i lënë palltot fëmijët”,- tha prindi, Muhamet Azizi.

“Unë si prindër ankohem, klasa është e vogël për të gjithë 35 nxënësit dhe mësuesja e ka të vështirë të punojë me ta. Ndërsa fëmija im ankohet më thotë: mami është shumë ngushtë në klasë. E vetmja zgjidhje është që të protestojmë për të hapur edhe një paralele për të luftuar”,-tha prindi, Sevdije Bela.

Drejtoresha e Sh. F. “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku, theksoi se përkrah prindërit për revoltën e tyre.

“Plotësisht pajtohem me revoltën e prindërve, kushtet nuk janë dhe ligjërisht numri është 24, ndërsa ne kemi mbi 34, solidarizohem. Kushtet janë ato që janë, besoj që do të zgjidhet. Të cek edhe një arsye, ne në klasë kemi edhe një fëmijë me nevoja të posaçme, që është në karrocë dhe ligjërisht kur ke fëmijë me nevoja të posaçme, numërohen si të jenë 3 nxënës ligjërisht dhe me automatizëm me një klasë janë 39 nxënës”,- theksoi drejtoresha e Sh. F “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.

Ministri i arsimit, Arbër Ademi, thotë se zgjidhja e këtij problemi është çështje ditësh.
“Personalisht nga unë është dhënë pëlqim për hapjen e paraleles së re, e njëjta është përcjellë si kërkesë për financim të ri deri te Ministria e Financave. Edhe pas bisedimeve që kam pasur me ministrin, është shprehur gatishmëri të njëjtës kërkesë t’i përgjigjen edhe ata pozitivisht.

Shpresoj që sa më shpejtë kjo çështje të zgjidhet, do të thosha është çështje ditësh nga ajo çka kam biseduar me ministrin e financave për arsye se me të vërtetë bëhet fjalë për një kërkesë e cila është e qëndrueshme dhe ka bazë të fuqishme ligjore procesi edukativo-arsimor të organizohet me përputhje me dispozitat ligjore”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Inspektorati i Arsimit e kanë vizituar këtë shkollë dhe kanë konstatuar gjendje dhe kanë dhënë afat që kjo çështje të zgjidhet brenda dhjetë ditësh, por paralelja ende nuk është hapur.

Marketing