Paraqitja në DAP, qytetarët presin momentin e fundit

Mbaron afati i regjistrimit të tatimpaguesve në sistemin elektronik të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Marketing

Nga DAP-i thonë se në dhjetë ditët e fundit një përqindje e madhe e qytetarëve kanë përfunduar këtë detyrim.

Por, edhe përskaj kësaj në sportelet e DAP-it sot vërehej turmë e madhe e njerëzve që prisnin për të kryer këtë detyrim.

Edhe përkundër apeleve të shumta të autoriteteve që qytetarët të regjistrohen sa më herët në sistemin elektronik të DAP-it, duket se shumica e tyre kanë zgjedhur pikërisht ditën e fundit për ta bërë një gjë të tillë.

Edhe pse para sporteleve kishte fluks të madh të njerëzve që prisnin, qytetarët thonë se nuk priten shumë pasi procedura kaloi shpejt.

“Ishte shpejt, pasi që ishte një burrë që vendoste vulë dhe kaloi shpejt. Më herët kemi pritur më gjatë se ka qenë një procedurë tjetër, kështu që lehtë ishte. Por, faji është edhe te ne që e lëmë për ditë të fundit”,- tha një qytetar.

“Erdha që të regjistrohem në sistemin elektronik, por unë jam pensionist – invalid, nuk e di se a duhet të regjistrohem apo jo. Dikush më thotë që duhet, dikush më thotë që jo”,- theksoi një qytetar.

“U regjistrova në sistemin elektronik, kishte pak turmë por mirë kaluam, nuk prita gjatë”,- u shpreh një qytetar.

Deri të premten, mbi 620 mijë tatimpagues e përmbushën detyrimin ligjor dhe janë regjistruar në mënyrë elektronike, në sistemin elektronik të DHP-së.

Rregullat e reja të DAP-it parashohin që të gjithë personat fizikë që kanë fituar të ardhura gjatë vitit, do të duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike në DAP, në sistemin e ri E-tatimi personal deri në fund të vitit.

Nga ky detyrim janë liruar vetëm pensionistët që marrin vetëm pension.