Ndërsa lëvizja e “jelekëverdhëve” hyri në javën e saj të 13 të aksionit, protestuesit dje mbushën sërish rrugët e Parisit. Ata marshuan para Harkut të Triumfit, monumenti në hyrje të Shamps Elizesë e më pas vijuan përpara ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, ku policia përdori gazin lotsjellës pasi protestuesit vandalizuan muret përreth ndërtesës.
E në mesin e gazit lotsjellës dhe goditjeve me shkopinj gome, një protestues raportohet të ketë humbur dorën në rrethana të tmerrshme. Shkaku i lëndimit nuk është konfirmuar ende, por dëshmitarët thonë se ai kishte kapur një granatë gazi lotsjellës që i shpërtheu në dorë.
Policia tha se personi i lënduar po trajtohet në spital.
Protestuesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron si edhe lejimin e referendumeve qytetare.
Lëvizja e “jelekëverdhëve” nisi në nëntor duke patur në thelb rritjen e taksës mbi karburantet dhe shumë shpejt u shndërrua në një revoltë të gjerë që mobilizoi dhjetëra e mijëra demonstrues kundër qeverisë.