Një ditë pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek vazhdojnë urimet nga komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dy dekadëshe mes Greqisë dhe Maqedonisë. Franca uron miratimin e Marrëveshjes dhe rithekson mbështetjen për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.
“Ky hap thelbësor politik, do të mundësojë hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje historike, e cila i jep fund mosmarrëveshjes dypalëshe, që daton mbi një çerek shekulli.Dëshiroj të përgëzoj dhe të përshëndes guximin dhe vendosmërinë e treguar nga ana e udhëheqësve të Greqisë dhe të Maqedonisë, e në veçanti, kryeministrat Cipras dhe Zaev. Marrëveshja e Prespës do të mundësojë zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në shumë fusha dhe do të përforcojë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi. Përveç kësaj, me mbështetjen e Francës, marrëveshja hap rrugën për pranimin e “Republikës së Maqedonisë së Veriut” në Aleancën Veri-Atlantike, në përputhje me ftesën që i është dërguar këtij vendi në samitin e korrikut të vitit të kaluar, dhe kontribuon në afrimin e tij evropian”, thuhet në letrën e Zhan-Iv Lë Drian, ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme i Francës.