Parlamenti Evropian: Mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi e dëmton besueshmërinë e BE-së

Parlamenti Evropian (PE) ka thënë në një rezolutë që e miratoi të enjten se besueshmëria e Bashkimit Evropian (BE) dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Në rezolutën e miratuar për rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë BE-së, përmes së cilit flet për nevojën e rritjes së ndikimit të BE-së në botë dhe për një qasje më të vendosur edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, PE-ja gjithashtu i paralajmëron Kosovën dhe Serbinë edhe për pasoja nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të dialogut.
Por, PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.

“Ftojmë BE-në që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në tekstin e këtij raporti.

Ky është një raport mjaft që përfshin temat nga raportet e BE-së me Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimi me NATO-n, forcimi i kapaciteteve evropiane të mbrojtjes, lufta kundër fushatave të dezinformimit, e deri tek situate në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket Kosovës në këtë raport “dënohet sulmi terrorist ndaj zyrtarëve policorë me 24 shtatorë në Banjskë të Republikës së Kosovës, si dhe provokimet e tjera”.

Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

Në këtë rezolutë, Parlamenti Evropian kërkon që të sillen para drejtësisë “të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmet terroriste në veri të Kosovë” dhe kërkon që, nëse dëshmohet se Serbia kishte gisht në to, të ndërmerren masa kundër Qeverisë së Serbisë.

Palëve u kërkohet që të punojnë për t’i ulur tensionet dhe për t’i shmangur retorikën apo veprimet të cilat mund të krijojnë tensione të reja.

Më pas, rezoluta e mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson BE-ja, dhe u bën thirrje të dyja palëve që me mirëbesim dhe frymë kompromisi t’i qasen vazhdimit të dialogut. Rezoluta, megjithatë, i bën thirrje edhe BE-së që të ketë një qasje në re në rolin e ndërmjetësuesit mes palëve.

“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i përkushtohen dialogut me besim të mirë dhe frymë të kompromisit në mënyrë që, pa vonesa, të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, bazuar në njohjen e ndërsjellët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” thuhet në një pikë të këtij raporti.

Rezoluta i paralajmëron Kosovën dhe Serbinë se dështimi për të shënuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve “do të ketë ndikim negative në integrimin e të dyja vendeve në BE”.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, një vit më vonë, nga të gjitha pikat e marrëveshjes u zbatuan vetëm ato që kanë të bëjnë me personat e zhdukur dhe njohjen e targave.

Ndërkohë, PE-ja thotë në rezolutën e saj se “ndien keqardhje për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës dhe ftojmë në heqjen urgjente të tyre”.

Raporti po ashtu përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dh kërkon nga Komisioni që të përgjigjet ndaj këtij aplikimi. Rikujton se kërkesa e Kosovës për status kandidati duhet të vlerësohet në bazë të meritave në përmbushjen e kritereve./REL