Parlamenti gjerman miraton mocionin që kërkon ndalesë të plotë për Hezbollahun

Parlamenti gjerman miratoi të enjten një mocion, përmes të cilit i kërkohet qeverisë së kancelares, Angela Merkel, të ndalojë të gjitha aktivitetet e grupit Hezbollah në territorin gjerman, duke përmendur “aktivitetet e tij terroriste” veçanërisht në Siri.

Marketing

Grupi militant shiit i Libanit, Hezbollah, gëzon mbështetjen e Iranit, ndërkaq është shpallur organizatë terroriste nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Mocioni nuk është detyrues, por do të rrisë presionin ndaj qeverisë gjermane, për të vepruar.

Në dokument thuhet se Gjermania nuk duhet të bëjë dallim midis krahut politik të Hezbollahut dhe njësive ushtarake, të cilat kanë luftuar përkrah ushtrisë së presidentit Bashar al-Asad në Siri.

“Parlamenti i bën thirrje qeverisë të ndalojë Hezbollahun dhe të mos tolerojë asnjë veprimtari nga përfaqësuesit e saj në Gjermani”, thuhet në mocion.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po i kërkojnë në vazhdimësi Gjermanisë të ndalojë tërësisht Hezbollahun, duke hedhur poshtë pretendimet se krahu politik dhe ushtarak janë entitete të ndara.

Mbretëria e Bashkuar, në muajin shkurt, miratoi legjislacionin që e klasifikon Hezbollahun si një organizatë terroriste, duke përmendur aktivitetet ushtarake në Siri, Irak dhe Jemen.

Bashkimi Evropian e konsideron vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut si një organizatë terroriste dhe jo krahun politik.