Parlamenti të përfshihet në Procesin e Berlinit

Sot, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z. Arbër Ademi, mbajti fjalim në Konferencën me temë: “Përforcimi i procesit të Berlinit përmes Diplomacisë Parlamentare”, e cila u organizua nga Instituti për Demokraci dhe partnerët e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe u mbajt në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Në Konferencë, kushtuar mundësive dhe modaliteteve për përfshirjen e parlamenteve në procesin e Berlinit, Ademi theksoi se bashkëpunimi rajonal i Ballkanit Perëndimor është thelbi i procesit të Berlinit dhe si i tillë paraqet pjesë të prioriteteve dhe kritereve politike, të përcaktuara në Kornizën e politikës së zgjerimit.

Ademi theksoi se bashkëpunimi rajonal ka efekte pozitive në funksionimin dhe jetën e qytetarëve në rajon, ndërsa si shembull i vuri në dukje tre ratifikimet e kontraktuara në kuadër të “Ballkanit të Hapur edhe atë për: njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, pastaj për kualifikimet profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të mjekësisë dentale dhe arkitektëve në kuadër të Marrëveshjes së Evropës Qendrore për tregti të lirë, si dhe për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.
Në këtë kontekst, ai vuri në dukje se deri më tani fokusi i këtij procesi ka qenë dimensioni ekonomik, me qëllim të krijimit të Sferës Ekonomike Rajonale, e cila është në interes të zhvillimit ekonomik dhe konvergjencës së rajonit, por që pas Samitit në Poznanj në vitin 2019, përveç pjesëmarrjes së Qeverisë, është planifikuar përfshirja e parlamenteve në të.

Megjithatë, theksoi Ademi, edhe pse bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal është i rëndësishëm në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE dhe është në drejtim të ndërtimit të marrëdhënieve të ndërsjella, bazuar në vlerat e shumëdëshiruara evropiane, ai nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin tonë në familjen evropiane.

Në Konferencë morën pjesë deputetë nga parlamentet e vendeve të rajonit, Shqipërisë, BdheH, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës, të cilët në diskutimet e tyre theksuan nevojën e përfshirjes së parlamenteve në procesin e Berlinit, nëpërmjet krijimit të dialogut parlamentar në fushat kyçe të bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe të sigurisë në rajon.