Komisioni Anti-korrupsion refuzoi ankesën e VMRO–DPMNE–së për parregullsi zgjedhore, gjegjësisht vendimin e qeverisë dy ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale për dhënien e mbështetjes financiare për investime të 160 kompanive të sektorit privat. Anti-korrupsionerët s’do hapin lëndë, pasi që ligji lejon nënshkrimin e marrëveshjes para zgjedhjeve por jo edhe kryerjen e pagesës, e cila edhe nuk është realizuar.
“Nuk kemi pagesë, vetë dy nenet e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Kodi Zgjedhor flasin për pagesa dhe në këtë moment ne nuk kemi pagesa, andaj edhe ankesa hidhet poshtë.”,- tha anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Vlladimir Georgiev.
Kryetarja e komisionit Anti-korrupsion, Biljana Ivanovska, thotë se rastet e dyshimta edhe pse të mbrojtura me ligj do të jenë objekt studimi të komisionit. Ajo tha se shembujt e tillë që kanë ndikim në trupin zgjedhor do të notifikohen në raportin e fundit dërguar kuvendit.
“Edhe pse nuk kemi shkelje të ligjit, nuk janë kryer pagesat, megjithatë paralajmërohen veprime në të ardhmen gjegjësisht ndarje të mbështetjes financiare, që paraqet ndikim tek votuesit potencial. D.m.th. nuk bëhet fjalë për hapje të lëndës, vetëm se kishte ankesë.”,- theksoi kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.
Si faktor i rrezikshëm ndaj trupit votues u theksuan ndryshimet në ligjin për mbështetje financiare të investimeve, ngushtimi i hapësirës së veprimit të Agjencisë për Investime të Huaja dhe koncentrimi i kompetencave në qeveri.