Partia pa emër

Pas përfundimit të të gjitha proceseve gjyqësore në dobi të BESËS së Bilall Kasamit, grupi i Afrim Gashit është në kërkim të një emri të ri të partisë. Gazeta KOHA merr vesh se në kombinim janë disa emra tjerë, e që pritet të ketë lidhje sërish me emrin BESA.

Marketing

Zyrtarë të kësaj partie i kanë thënë gazetës KOHA se, pas vendimit për të dytën herë të Gjykatës Themelore Shkupi 2 dhe pas publikimit në Gazetën Zyrtare të vendimit të Regjistrit gjyqësor të partive politike, që emri BESA i takon kryetarit Bilall Kasami, është e qartë tashmë se ky emër është e drejtë e grupit tjetër (të Kasamit) dhe se Afrim Gashi me shokë duhet të mendojë për iniciativë të re, ndërsa me këtë, edhe Programi i partisë që për thelb ka Ridefinimin, duhet ndryshuar.

“Në Gazetën Zyrtare tashmë është publikuar vendimi i Gjykatës Themelore Shkupi 2 dhe vendimi i Regjistrit gjyqësor të partive politike, që njeh BESËN e Kasamit si legjitime, si dhe Programin dhe Statutin e partisë të dalë nga Kongresi i tyre në shkurt të këtij viti. Është e pakuptimtë tashmë që ne, të vazhdojmë të promovojmë Ridefinimin kur jemi pjesë e pushtetit dhe kur nuk me vendime gjyqësore, tashmë edhe emri i takon grupit tjetër”, thotë në kushtet anonimiteti një anëtar i lartë i grupit të Gashit.

Megjithatë, ka edhe nga ata që vazhdojnë të mos heqin dorë nga emri BESA, edhe pse tashmë në Regjistrin e partive politike e ka mbaruar gjithë procedurën e pronësisë. Orhan Murtezani, zëdhënës i grupit të Afrim Gashit, thotë se edhe një ankesë është iniciuar në Gjykatën e Apelit.

“Procesi gjyqësor nuk ka epilog. Kjo që ju thoni është shkalla e parë e Gjykatës Themelore. Të njëjtën padi ne e kemi apeluar në Gjykatën e Apelit dhe deri në fund të muajit dhjetor, besoj që do të ketë vendim final për procesin juridik se kujt do ti takojë Lëvizja Besa”, thotë Murtezani, ndërsa pranon se në Regjistrin gjyqësor të partive qëndron Kasami si kryetar, ndërsa edhe vulat vazhdon ti ketë ai.

“Emri në Regjistrin gjyqësor është në bazë të dokumenteve të falsifikuara, gjë të cilën ne e apelojmë në Gjykatën e Apelit, sepse ne nuk e pranojmë këtë”, shprehet Murtezani.

Ndryshe, pas publikimit në Gazetën Zyrtare të vendimit Regjistrit gjyqësor të partive politike se BESA i takon Kasamit dhe se Kongres legjitim i kësaj partie është ai i muajit shkurt, vet Kasami në një deklaratë për gazetën KOHA tha u bëri thirrje të gjithë, siç u shpreh ai, “besatarëve që vendi i tyre është te Lëvizja BESA pa marrë parasysh se dikush në një moment mund ti kishte mashtruar dhe si rrjedhojë, të kenë devijuar nga vizioni i Besës”, ndërsa informoi se për gjithë ata që e keqpërdorën emrin e Besës, janë ngritur procedura për përgjegjësi adekuate para organeve të drejtësisë.

“Besoj se gjykatat do ta bëjnë punën e vet dhe gjitha ata që dëmtuan Lëvizjen Besa me qëllim të përfitimeve personale duke u shitur te pushteti, do të marrin dënimin e merituar. Për gjithë ata që keqpërdorin emrin e Besës janë ngritur procedura për përgjegjësi adekuate para organeve të drejtësisë”, tha Kasami.

Gjykata Themelore 2 e Shkupit muaj më parë vendimin gjyqësor për pronësinë e partisë ia kishte dorëzuar Regjistrit gjyqësor për partitë politike, Gazetës Zyrtare, si dhe Regjistrit qendror të Maqedonisë

 

Gjykata e Apelit kishte hedhur poshtë ankesën e fundit të grupit të Afrim Gashit për të njohur partinë e tyre si “Lëvizja BESA”

 

Gazeta Zyrtare ka publikuar vendimin përfundimtar të Gjykatës Themelore Shkupi 2 për pronësinë e Lëvizjes BESA. Në shpalljen që është publikuar më 28 nëntor, ashtu siç u vendos në disa vendime gjyqësore, BESA i takon kryetarit Bilall Kasami, ndërsa në Regjistrin gjyqësor të partive politike shënohet BESA me adresë në rrugën “Hristian Todorovski Karposh”, nr. 84A në Shkup.