Partitë politike paralajmërojnë se fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme më 12 prill, e cila ende nuk ka nisur zyrtarisht, do të jetë një nga fushatat më të tensionuara që mund të jenë zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.
Ndryshimi i emrit të shtetit, proceset gjyqësore kundër ish-zyrtarëve, rasti “reket” i qeverisjes së tanishme e afera tjera pritet të dominojnë fushatën duke ndarë partitë në dy blloqe, në “tradhtar të kauzës kombëtare” dhe “patriot të së ardhmes evropiane të vendit”.Se fushata do të jetë е pistë dhe komprometuese e ka thënë edhe kryeministri, Oliver Spasovski.
“Jam i sigurt se kjo fushatë zgjedhore do të jetë një nga më të pistat në historinë e vendit. Jam i sigurt se lajmet e rreme dhe propaganda mediatike do të jenë përditshmëri e procesit zgjedhor. Por, institucionet shtetërore janë të gatshme për të siguruar që zgjedhjet të mbahen në rrethana normale”, ka deklaruar Spasovski në një intervistë për revistën EU Observer.
Nga LSDM-ja thonë se qëllimi i opozitës është që përmes lajmeve të rreme dhe mediave të financuara me para të dyshimta, të kthejnë vendin në periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit.
“VMRO-DPMNE-ja po zhvillon fushatë të zezë mediatike kundër shtetit me qëllim që të kthejë në pushtet Nikolla Gruevskin dhe të gjithë kriminelët e partisë. Me para të pista, Mickoski dhe VMRO-DPMNE po financojnë mediat që janë kundër të arriturave në shtet dhe kundër interesave të qytetarëve”, ka deklaruar Bogdanka Kuzeska, nga LSDM-ja
Por, me akuza të ngjashme edhe nga VMRO DPMNE-ja madje duke e krahasuar pushtetin me nazizmin. E gjithë kjo, sipas opozitës tregon se LSDM-ja është në panik nga siç thonë, disfata që e pret në zgjedhjet e ardhshme.
“Gjuha e urrejtjes që po përhap LSDM-ja në stilin e nazistëve nga shekulli i kaluar duhet menjëherë të ndërpritet. Nazizmi është mundur nga aleatët, por duket qartë se rrënjët ende i kanë mbetur në struktura të caktuara në LSDM. Kësaj politike duhet t’i jepet fund dhe kjo do të ndodhë në zgjedhjet e 12 prillit”, ka deklaruar Zhaklina Peshevska, deputete e VMRO DPMNE-së.
Përplasje para fushatës ka edhe mes partive shqiptare, por ende jo në nivelin e partive maqedonase.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se do të angazhohen për atmosferë demokratike dhe paqësore si dhe për zgjedhje të lira, që qytetarët të munden pa presion të realizojnë të drejtën e votës.
“Ne presim që të kemi një fushatë fer, të lirë dhe demokratike e të qetë. Ne maksimalisht jemi të përqendruar në fitoren e radhës absolute të BDI-së”, ka deklaruar, Arbër Ademi, anëtar i kryesisë së kësaj partie.Fitore pret edhe opozita shqiptare e cila me gjasë do të garojë në dy blloqe, dhe të dyja si synim kanë fitoren ndaj BDI-së. Nga koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe partisë Alternativa thonë se fushata e tyre do të jetë dinjitoze, pa etiketime e fyerje pasi në fokus do të ketë siç thonë “demaskimin e të gjitha dështimeve të BDI-së, jo vetëm gjatë këtij mandati qeverisës, por që kur ajo është pjesë e pushtetit në 15 vitet e fundit”.
Për zgjedhje të lira dhe demokratike me fushatë korrekte sipas standardeve ndërkombëtare kanë apeluar të gjithë diplomatët perëndimor në vend duke theksuar rëndësinë që ka kjo për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut./rel/