Partitë politike në Maqedoni, pronare edhe të tokave

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për financimin e partive politike, përveç rritjes fondeve nga 0.06% në 0.15 për qind të shumës së përgjithshme të buxhetit, partitë në Maqedoni do të ketë të drejtën të posedojnë tokë, pasuri të patundshme, hapësira afariste, mjete transportuese, të marrin kredi e burime tjera të financimit nga anëtarësia, donacionet, sponsorët dhe shitja e materialit propagandistik.

Marketing

E gjithë kjo, sipas partive që kanë miratuar ndryshimet ligjore ka për qëllim evitimin e financimeve të paligjshme dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhore. Veç kësaj, partitë kanë miratuar edhe ndryshimet për Qeverinë, që parashohin dorëheqjen e kryeministrit, 100 ditë para zgjedhjeve kur do qoftë që të mbahen ato dhe në Qeveri të përfshihet edhe opozita, të cilës do t’i takojnë tri ministri. Edhe kjo, sipas partive bëhet për të garantuar proces zgjedhor demokratik dhe të pranueshëm nga partitë.

Por, njohësit e çështjeve politike, kanë qëndrime të ndryshme nëse këto ndryshime vërtetë krijojnë kushte të mira për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, apo se janë miratuar për qëllime tjera politike. Aljadin Demiri, profesor universitar dhe ish-politikan, për Radion Evropa e Lirë thotë se nisma është e mirë, por se vështirë do të mënjanojë tërësisht abuzimet që bëjnë partitë përmes formave të ndryshme të financimit.

“Ligji për partitë politike si duket krijon parakushtin elementar për stabilizimin politik sa i përket burimeve të pista financiare të cilat ka një kohë të gjatë që funksionojnë. Por, kjo është vetëm se një parakusht për arsyeje se unë mendoj se do të rregullohen keqpërdorimet banale, ndërsa ato esenciale që janë specialitet i partive do të jenë të pakapshme. Megjithatë, tani ka një konstruksion ligjor me të cilin do të ballafaqohen partitë”, thotë Demiri.

Ndërsa sa i përket Ligjit për Qeverinë teknike, me pjesëmarrjen edhe të opozitës, ai thotë se kjo edhe njëherë dëshmon mosbesimin e thellë që ekziston mes partive por edhe jofunksionalitetin e institucioneve për të garantuar proces zgjedhor demokratik.

“Mosbesimi i fundit, mosbesimi i skajshëm në politikë ndaj njëra-tjetrës e detyroi edhe pushtetin që në këtë mënyrë ta pranojë këtë si rregull, që do të thotë që një përjashtim të pranohet si rregull dhe kjo është ajo sintagma e keqe që i jep pushtetit aromë negative”, thotë Demiri.

Nikolla Dujoski, njohësi i çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë thotë se dy ligjet nuk kanë të bëjnë fare me procesin zgjedhor, por me tentimin e pushtetit që përmes pranimit të këtyre kërkesave të opozitës të sigurojë apo t’i imponojë opozitës mbështetjen për referendumin, si një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Qeveria.

Dujoski thotë se është absurde pjesa e njërit ligj që parasheh mundësinë që partitë të mund të posedojnë edhe tokë.

“Të gjitha ndryshimet bëhen me qëllim që të mbështeten çështjet tjera që kanë të bëjnë me referendumin. Mendoj se nuk ishte koha, por as kushtet nuk ishin krijuar që të bëhen ndryshime në atë ligj. Megjithatë, me insistim të VMRO-DPMNE-së u bën edhe këto ndryshime, që parashohin që partitë të kenë edhe tokë apo të jenë pronare të tokave, një rast të tillë nuk kemi në asnjë vend të Evropës, pasi dihet se çfarë organizatash janë partitë politike, dihet se çka mund të disponojnë, por tani kemi një ligj që më së shumti i plotëson interesat e partive se sa që me to plotësohen standardet evropiane, por besoj se ky ligj sërish do të pësojë ndryshime për të qenë vërtetë ligj evropian”, thotë Dujoski.

Ndryshimet e fundit në Ligjin për qeverinë dhe financimin e partive janë miratuar pas takimit të liderëve të partive politike, në të cilin pushteti dhe opozita nuk arritën të merren vesh për pyetjen dhe karakterin e referendumit për Marrëveshjen e emrit me Greqinë./REL

Marketing