Partitë politike shqiptare të hapen për kuadro të reja

Sefer Tahiri

Marketing

Zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe sidomos rezultati fantastik i Lëvizjes Vetëvendosja, më shtyn të riaktualizoj idenë e freskimit të skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut! Aq më tepër që ka një lloj apatie të dukshme politike, që është pasojë e shumë faktorëve!

Partitë duhet të hapen për kuadro të reja, profesionale dhe të dëshmuara në fusha të ndryshme shkencore apo veprimtari të ndryshme shoqërore. Vetëm në këtë mënyrë do të dëshmojnë se janë subjekte të hapura dhe jo subjekte të izoluara, që veprojnë si klane “akraballëku”, klane njërëzish që janë të lidhur me liderin mbi baza profesionale ose baza tjera, subjekte që organizohen ekskluzivisht mbi parimin e besimit të skajshëm në “kryesi”. Partia politike nuk është as kompani biznesi, as shërbim sekret e as sekt, por subjekt, në të cilat duhet tu mundësohet fushëveprim njerëzve që kanë ide, por edhe ideale, pse jo!

Duke i hapur dyert për ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile do të dëshmojnë se janë subjekte që ofrojnë koncept dhe filozofi të re politike. Ju kujtohet Komiteti i Orientimit të Politikave të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe sidomos angazhimi i shumë intelektualëve dhe veprimtarëve shoqërorë në LVV, por edhe në partitë tjera në Kosovë. Kjo është praktikë e njohur evropiane.

Mos të ketë keqkuptime, nuk vlen në këtë rast thirrja shabllonike se dyert janë të hapura për të gjithë që dëshirojnë tu bashkëngjiten. Mos prisni që një pjesë e intelektualëve tu afrohen vetë (disa u afrohen të gjithave), por partitë duhet t’i afrojnë ata! Kuptohet jo ata që vlerë të vetme të CV-së së tyre kanë transferet prej partie në parti!
Sepse me stilin “më ka çu nana me shpërla gojën” funksionojnë partitë e vjetra dhe ne prandaj gati se 20 vite po shohim 20 figura (madje mos është shumë edhe numri 20) që shëtiten në pozita të ndryshme. Herë bëhen deputetë, ministra, drejtorë e herë ambasadorë! Dhe kur i kalojnë të gjitha këto pozita, synojnë të bëhen me çdo kusht rektorë, prorektorë e dekanë!
Partitë shqiptare duhet të hapen dhe të mos funksionojnë si guaca, sepse nëse veprojnë si organizim i tillë pa demokraci brendapartiake dhe që nuk bazohen tek ekspertiza profesionale e profesonistëve, ndodh ndryshkja e ideve politike, ndodh që subjektet politike të shihen si “mall babe” ose edhe më keq si struktura monarkike, që do të trashëgohen nga pasardhësit e krerëve partiak. Nëse nuk kemi mentalitet të ri të veprimit politik, krijohet realiteti virtual se çështjet e shoqërisë dhe të kombit janë “pronë” ekskluzive vetëm e disa kokave. Që ky fenomen të shkojë në histori, partitë duhet t’i ofrojnë elektoratit njerëz të rinj, të pakorruptuar dhe moralisht të pakompromituar. Njerëz të rinj, jo vetëm në moshë, por në kokë!

P.S Me këtë shkrim nuk amnistoj intelektualët e heshtur, që nuk e thonë asnjë llaf mbi zhvillimet shoqërore dhe politike dhe të cilët nëse thonë një mendim personal tuten se do bëhet hataja!