Partitë shqiptare bashkojnë forcat, kandidat dhe listë të përbashkët për këshillin komunal në Çashkë

Për herë të parë partitë shqiptare gjegjësisht BDI, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa i bashkuan forcat për të garuar në zgjedhjet lokale. Koalicioni për këshillin komunal në Çashkë do të garojë më një kandidat dhe një listë, me qëllim të fuqizojë vendimmarrjen e shqiptarëve në këtë komunë.

Marketing

Banorët e kësaj komune thonë që e kanë pritur gjatë bashkimin e partive shqiptare për të mirën e popullit.

“Kjo është e para herë, prosperiteti ka qenë më para mirëpo ai nuk bëri asgjë, pastaj partitë u copëtuan”, tha një qytetar.

“Kjo është diçka që kemi prit prej moti”, shtoi një tjetër qytetar.

“Qe sa vite mbahet zgjedhjet kjo është hera e parë që garohet me një listë të përbashkët, tash kemi kandidatin shqiptar të BDI-së dhe listën e kemi të përbashkët. Kjo do te thotë një ndryshim i madh”, tha një tjetër qytetar.

Kandidati nga radhët e BDI-së Suat Shaqiri thotë se bashkimi i votës shqiptare është çelësi për fitore.

“Qytetarët e Çashkës dalin me një kandidat për kryetar të komunës nga radhët e BDI-së me një listë të përbashkët për Këshillin komunal. Arritëm me pjekuri politike për ta realizuar një koalicion gjithëfshirës”, u shpreh Suat Shaqiri.

Ndryshe në zgjedhjet e kaluara që u mbajtën më vitin 2017 shqiptarët kishin një kandidat të pavarur, por ai nuk shkoi ne rrethin e dytë. Shqiptarët në zgjedhjet e kaluara mbështetën kryetarin aktual të Çashkës që vjen nga radhët e LSDM-së.