Partnerët e koalicionit dakordojnë rikonstruimin qeveritar

Bisedimet e partnerëve të koalicionit LSDM dhe BDI rreth rikonstruimit të Qeverisë janë në rrjedhë dhe sipas paralajmërimeve të kryeministrit Zoran Zaev ndryshimet e para priten të ndodhin më së voni deri në mesin e muajit qershor.

Marketing

Ai deri tani nuk zbulon emra, por siç ka deklaruar, e dinë se cilët njërës do t’i vendoste në vendet e zbrazëta pas paralajmërimit të “fshesës” në Qeveri dhe institucione tjera shtetërore.

“Tashmë po bisedoj me njerëz veçanërisht njerëz të rinj të cilët duhet të vijnë në pozicione të cilat do të ndryshohen dhe zbrazen. Bisedimet rrjedhin. Çdo kohë të lirë e shfrytëzoj për të biseduar me ata njerëz që të mund të konfirmoj se pranojnë ta bëjnë atë punë, ashtu që besoj se do të arrij jo më vonë nga fundi i gjysmës së parë të qershorit”, tha Zaevi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Sipas Zaevit, raportet e partneritetit me BDI-në janë stabile dhe besimi mes tij dhe liderit të partisë Ali Ahmeti është i madh. Jemi të vetëdijshëm, thotë ai, se “kemi kuadro të caktuar të dobët në radhët tona dhe prandaj flasim për ndryshimet dhe ata po ndodhin”.

Liderët e LSDM-së dhe BDI-së tanimë 90 për qind kanë arritur marrëveshjen për formatin e ri të Qeverisë dhe ditëve në vijim pritet që të bëhet publike, deklaroi nga ana tjetër nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti në emisionin “Rruga drejt”, që transmetohet sonte në Alsat-M.

Sipas tij, siç transmeton “Bashkë.tv” kjo duhet të jetë Qeveria “Zaev 2”, e cila do të përqendrohet në ekonomi dhe investime kapitale.

“Në rast se më pyesni për emra, nuk e di”, ka thënë Mexhiti.

Në qershor pritet të mbahet seanca e ardhshme e Kuvendit ku do të votohej për ministrat e rinj të Qeverisë. Sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi nga 7 qershori e tutje në çfarëdo termini mund të thirret seancë pa dallim nëse ajo do t’u referohet propozimeve të paralajmëruara nga Qeveria ose seancë tjetër të rregullt e cila do të mund të thirrej për materialet e arritura.

“Nga 7 qershori më tej në çfarëdo termini mund të thirret seancë pa dallim nëse ajo do t’u referohet propozimeve të paralajmëruara nga Qeveria ose seancë tjetër të rregullt e cila do të mund të thirrej për materialet e arritura. Në seancën e parë të ardhshme do të mund të debatohet rreth raportit të Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit për mosardhjen e Gruevskit gjashtë muaj”, ka thënë Xhaferi.

Sipas tij, nga aspekti formal nuk ka pengesa që dy pikat të vihen në po të njëjtën seancë.

Marketing