Partnerët e koalicionit, kundër dialogut teknik me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mblodhi të martën përfaqësues të partive politike, për t’i njoftuar me procesin e rifillimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Marketing

Takimit iu përgjigjën përfaqësues të partive qeverisëse, por jo edhe ata të opozitës: Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Në takim u diskutua edhe emërimi i koordinatorit qeveritar për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas Hotit, koordinatori do të duhej t’i vazhdonte bisedimet me palën serbe në Bruksel, të paralajmëruara për datën 23 korrik.

Në këtë takim do të duhej të diskutohej për personat e zhdukur të luftës dhe bashkëpunimin ekonomik – tema këto që kanë nisur në takimin e 16 korrikut midis Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Emërimi i koordinatorit nuk është bërë ende publik.

Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës, tha se për emërimin e tij fillimisht duhet të vendosin liderët e tri partive politike që janë në koalicionin qeverisës: Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, në bashkëpunim me kryeministrin Hoti.

“Se cili do të jetë mandati dhe detyrat e koordinatorit, mbetet ta shpjegojë kryeministri, së pari për partnerët e koalicionit, pastaj për opozitën. Se a është ajo rruga që duhet ndjekur, së pari duhet të vendosin z. Mustafa, Limaj dhe Haradinaj, në bashkëpunim me kryeministrin“, tha Sherifi.

Ai shtoi se në emër të Nismës Socialdemokrate, ka kërkuar nga Hoti që të kihet kujdes që Kosova të mos rrëshqasë në një dialog teknik, sepse ai, sipas tij, nënkupton zvarritje të zgjidhjes apo normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nisma nuk mendon se duhet të ecet në atë rrugë, sepse jemi të sigurt që kemi të bëjmë me të njëjtin film që e kemi parë prej vitit 2011 dhe kemi të bëjmë me të njëjtit aktorë dhe regjisorë. Kosova ka nevojë për një dialog, i cili do të zgjidhë shpejt dhe drejt raportin mes Kosovës dhe Serbisë“, tha Sherifi.

Të hënën, Hoti ka thënë se koordinatori do të punojë edhe në “hartimin e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për njohjen reciproke”.

Përkundër faktit që Bashkimi Evropian paralajmëroi për këtë javë bisedime në nivel të ekspertëve, të cilat partitë politike në Kosovë i cilësuan si vazhdim të dialogut teknik, Hoti tha se nuk ka dialog të tillë dhe se po zhvillohet vetëm “dialog politik për njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

Marketing