Partnerët e koalicionit “Mundemi” e mbështetën marrëveshjen e LSDM-së dhe BDI-së

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe sekretari i përgjithshëm, Ljupço Nikollovski sot pasdite patën takim me liderët dhe përfaqësuesit e partive nga koalicioni “Mundemi”.

Marketing

Siç kumtoi LSDM, partnerët e koalicionit i dhanë mbështetje të plotë marrëveshjes për koalicionim me BDI-në, si dhe vlerave dhe parimeve që dalin nga ajo në drejtim të transformimit të shpejtë të shtetit.

Para të pranishmëve, Zaev i prezantoi prioritetet kryesore të Qeverisë së re për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Ai tha se kuadro cilësore, të ndershme dhe përgjegjëse do të propozohen nga të gjitha subjektet politike në koalicionin “Mundemi”, kuadro të cilat janë të gatshme në tërësi të reflektojnë ndaj përcaktimeve dhe parimeve programore të qeverisë së re.

“Qeveria e re e kryesuar nga LSDM fokus kryesor do të vendosë në përforcimin e standardit ekonomik dhe kujdes akoma më të madh për të gjithë. Do të përkushtohemi seriozisht në reforma në administratën publike dhe ulje të vëllimit të saj për 20 për qind. Njëkohësisht, do të përkushtohemi në pastrimin e gjyqësisë, kontrollin e pronës dhe kapitalit të çdo funksionari dhe luftës joselektive kundër korrupsionit. Jemi fuqimisht të motivuar në sigurimin e ajrit të pastër dhe mjedisit të shëndoshë jetësor përmes mobilizimit të gjerë të të gjitha kapaciteteve. Gjithsesi, si një nga prioritetet kryesore është edhe përparimi në procesin eurointegrues përmes fillimit të negociatave dhe hapjes së kapitujve të parë. Për ta realizuar këtë, nevojiten kuadro të ndershme, përgjegjëse dhe profesionale të cilat do të udhëheqin me institucionet. Në këtë periudhë rrjedhin bisedime serioze me partnerët e koalicionit për t’u gjetur kuadrot më përgjegjëse dhe më të mira për resorë të caktuar, me çka secila parti nga ky koalicion do ta jepte kontributin e vet në udhëheqjen e institucioneve në katër vitet e ardhshme”, theksoi Zaev.

Ai i uroi partnerët e koalicionit për fitoren në zgjedhjet e 15 korrikut, duke cekur se me fitoren u konfirmua rruga evropiane e vendit.

“Kjo na jep nder dhe obligim të punojmë akoma më shumë në planin vendor në mandatin e ardhshëm katërvjeçar”, tha Zaev.

Pas përfundimit të takimit, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami konfirmoi se partia e tij do ta marrë resorin e bujqësisë, por kush do të jetë ministër do të dihet pas takimit të sontëm të Këshillit qendror të partisë.

BESA, tha Kasami, do të jetë pjesë edhe e eshalonëve të tjerë të pushtetit dhe do të marrë zëvendësministra dhe drejtorë të institucioneve.

“Lëvizja BESA do të ketë rol të rëndësishëm në shumicën qeverisë. Do të udhëheqim me dikasterin e Bujqësisë dhe sigurisht edhe në eshalonët tjerë të pushtetit do të kemi rol të rëndësishëm, në pjesën e zëvendësministrave dhe drejtorëve të institucioneve të rëndësishme. Ky do të jetë përfitim për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë të tyre partiake ose përkatësisë tjetër. Të gjithë funksionarët e Besës do të jenë në shërbim të tyre”, tha Kasami.

Ai paralajmëroi se prej orës 19 sonte do të ketë mbledhje të Këshillit Qendror të partisë, në të cilën mes tjerash, do të vendoset edhe kush do të jetë ministër i bujqësisë.

Kryetari i PEPR, Samka Ibraimovski, tha se me përbërjen në qeverinë e re partia e saj do ta humbë edhe atë që e kishte.

“Atë që e kemi po e humbim – ministrin pa dikaster për Zbatim dhe Strategji të Romëve. Ku ishte pikënisja nuk morëm numër të mjaftueshëm të votave. Sipas parimit të qeverisë së re, nëse hyn një femër, duhet të hyjë femër nga lista sepse në nenin e Kodit Zgjedhor duhet të hyjë e 11-ta, e jo e nënta, Kozarov. Nuk e di se cili kombinim do të bëhej që unë të bëhem deputete ose Kozarov”, deklaroi Ibarhimovski pas takimit në LSDM.

Në orën 20 sonte duhet të fillojë mbledhja e Bordit Qendror të LSDM-së në të cilën, siç konfirmoi edhe zëdhënësja e partisë Bogdana Kuzeska, do të sillen vendimet për vendimet kadrovike.

Ndërkaq në orën 18:00 filloi takimi i Kryesisë qendrore të BDI-së në Tetovë dhe akoma po vijon, ku gjithashtu pritet të konfirmohen pozitat e funksionarëve.

Marketing