Me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimin e procesit të skriningut, Maqedonia e Veriut dje pas 17 viteve pritje e bëri hapin e parë në aderimin drejt Bashkimit Evropian.
Në Konferencën ndërqeveritare në Bruksel mori pjesë delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili deklaratën hyrëse e lexoi në gjuhën maqedonase. Sipas Kovaçevskit, dita e djeshme është historike sepse pas 17 viteve po e bëjmë hapin kyç në rrugën drejt realizimit të ëndrrës tonë dhjetëvjeçare dhe të gjeneratës.
“Hapi i parë drejt të ardhmes tonë evropiane është bërë, ndërsa ëndrra jonë prej tre dekadave është e arritshme. Sot është dita kur fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Maqedonisë së Veriut. Një kapitull i zhvillimit të përshpejtuar, prosperitetit dhe stabilitetit”, deklaroi Kovaçevski pas mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare.
Për realizimin e këtij qëllimi strategjik, siç tha, janë sjell vendime të vështira të cilat kërkojnë udhëheqje dhe guxim, mençuri dhe përgjegjësi.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë më meritorët për ditën e sotme. Ata nuk u dorëzuan para asnjë sfide, para maleve me lëshime dhe kompromise të vështira për të përmbushur ëndrrën e tyre për t’i përkitur familjes evropiane. Ne vendosëm të përballemi me të gjitha druajtjet tona dhe të marrim vendime të guximshme për të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës”, theksoi Kovaçevski.
Sipas tij, nuk ekziston patriotizëm më i madh se vizioni dhe plani i qartë për të ardhmen, angazhimi për prosperitetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Është i drejtpërdrejtë se Bashkimi Evropian na pranon si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase, me respekt të pakushtëzuar për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas dhe veçoritë e tij të identitetit, historike dhe kulturore. Për këto gjëra, siç tha, as nuk negociohen, as nuk do të negociohet.
Nga Brukseli premtojnë se do të bëjë gjithçka që të përshpejtohet procesi i negociatave. Eurokomisari për zgjerim në konferencë për shtyp me kryeministrin Kovaçevski dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavski, tha se Maqedonia e Veriut ka treguar se është partner i besueshëm.
“Kam besim se me vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut do të mund të punojmë shpejt, fort dhe efektivisht gjatë negociatave. Mesazhi ynë sot për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është shumë i qartë. Ne ju duam në BE dhe nuk ka dyshime për këtë. Sot po dërgojmë edhe një mesazh të fuqishëm për të gjithë rajonin dhe më gjerë, tha Varhelyi.
Mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare e përshëndetën kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Josep Borrell, kryeministri çek Petër Fiala, vendi i të cilit aktualisht kryeson me Këshillin e BE-së, si dhe ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Militiadis Varviciotis.
U deklarua edhe presidenti amerikan Joe Bajden, i cili në deklaratën e tij përmendi se “SHBA-ja i përshëndet hapat që Bashkimi Evropian i ndërmerr për avancimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në bashkësinë euroatlantik edhe atë përmes hapjes së negociatave aderuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Në momentin kur Rusia e prishi paqen në Evropë, më e rëndësishme se kurrë është që të mbështetet synimi për Evropën që të jetë e lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe me prosperitet mbetet esencial për këtë vizion”, deklaroi Biden.
Presidenti amerikan është me qëndrimin se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partnere e fortë dhe e besueshme derisa këto vende punojnë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përforcimin e reformave demokratike dhe mbështetjen e qeverisjes së të drejtës.
Konferenca e parë ndërqeveritare është përshëndetur edhe nga kreu politik vendor, ndërsa për opozitën shteti hyn në një labirint ku historia dhe e kaluara do të jenë shumë më të rëndësishme se e tashmja, e ardhmja dhe standardet evropiane. Lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickovski, i vlerësoi si mashtrime të opinionit, pretendimet e Qeverisë se gjuha maqedonase është e mbrojtur dhe se sigurohet reciprociteti në proces. Në bisedë për “Deutsche Welle”, Mickoski thotë se roja më e madhe e Kushtetutës është fjala e dhënë e deputetëve.
Eurokomisari për zgjerim Varhelyi, megjithatë, i bëri thirrje opozitës që të dëshmojë se është e përkushtuar në anëtarësimin e vendit në BE.
“Me të vërtetë shpresoj se prej tani e tutje, të gjitha partitë politike në vend, duke e përfshirë edhe opozitën, do të punojnë për të ardhmen evropiane dhe nuk do të fillojnë me polemika dhe me nxitje të emocioneve të cilat nuk do ta çojnë vendin përpara dhe nuk do t’i sjellin asgjë të mirë”, tha Varhelyi në konferencën për shtyp në Bruksel.
Në Brusel dje u mbajt edhe takim në të cilin u shënua fillimi i procesit skrining.
“Procesi që e fillojmë sot bazohet në punën e mirë që e përfunduam deri tani. Për këtë përgatiteni prej vitesh dhe mund të them se ne do të jemi me ju dhe se do t’ju ofrojmë të gjithë ndihmën që do t’ju nevojitet”, tha Varhelyi, duke shtuar se BE-ja nuk dëshiron të humbasë më asnjë moment dhe se menjëherë fillojnë me Akito.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, i cili pati fjalim në gjuhën maqedonase në selinë e BE-së, tha se po fillojmë një proces i cili do të kërkojë angazhim të gjithë shoqërisë.
“Angazhimi ynë që të bëhet anëtarë të plotfuqishëm të BE-së nuk është vënë në pikëpyetje dhe jam i bindur se me skriningun do të përforcohet. Shpresoj se edhe BE-ja do të jetë e gatshme të na presë. Fillojmë proces që do të kërkojë angazhim të të gjithë shoqërues. Proces i rëndësishëm dhe jo shumë i lehtë, por i cili do të përfundojë me anëtarësim në BE që është ëndrra jonë”, theksoi Mariçiq.
Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, dita e djeshme është një ditë historike, ndërsa vështrimi ynë tani do të jetë i kthyer nga e ardhmja dhe obligimet që duhet t’i përmbushim.
“Nga ne do të varet që t’i mobilizojmë burimet tona në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt familjen evropiane të cilës i përkasim në aspektin qytetërues. Mbështetja dhe udhëzimet tuaja të vlefshme do të jenë edhe më të nevojshme tani e tutje. Ju siguroj se ekipi ynë është i gatshëm të përmbushë të gjithë kapitujt”, tha Osmani në takimin në Bruksel me të cilin u shënua fillimi i procesit të skriningut.
Skriningu do të përbëhet nga dy nënfaza gjegjësisht procese. Njëri prej proceseve është skrining shpjegues në të cilit Komisioni Evropian do të bëjë përditësim të të drejtës relevante të BE-së, duke e pasur parasysh atë se kanë kaluar disa vite që nga mbajtja e takimeve fillestare shpjeguese, ndërsa në të njëjtën kohë do të vijojë edhe një proces i skriningut bilateral.
Përmes procesit bilateral, vendi do të duhet ta paraqesë shkallën e harmonizimit me të drejtën e BE-së dhe planet për harmonizim të mëtejshme, ndërtim të kapacitete institucionale dhe administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe të IT-së për zbatimin e standardeve evropiane.
“Këto procese do të zbatohen në periudhë që do të zgjasë të paktën një vit dhe sipas Metodologjisë së re në nivel grupesh. Kalendari për zbatimin e skriningut do të definohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian”, informuan nga pres-shërbimi qeveritar.
Sipas paralajmërimeve të Bullgarisë, nuk pritet problematizim i gjuhës këtë herë, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen deklaroi dje se marrëveshja do të përkthehet në gjuhën maqedonase, pa fusnota, pa viza, në nivel të barabartë me të gjitha 24 gjuhët evropiane, që konsiderohet si konfirmim se gjuha maqedonase në këtë marrëveshje më nuk do të jetë problem dhe objekt i bllokadave.
Zhbllokimi i rrugës tonë evropiane u mundësua me pranimin e propozimit të presidencës franceze me BE-në nga 30 qershori i vitit 2022, nga ana e Qeverisë ditën e shtunë, pasi paraprakisht ditën e njëjtë Kuvendi miratoi konkludime pas Informacionit për propozim-kornizën negociuese. Me konkludimet Kuvendi e obligoi Qeverinë që t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian, me qëllim që t’i zhbllokojë proceset eurointegruese. Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë ndër vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor më 9 prill të vitit 2001 në Luksemburg e nënshkroi Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim, e cila hyri në fuqi në vitin 2004, ndërsa një vit më vonë e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.