Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dominik Rab e nënshkroi Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut në NATO, me çka deri më tani 24 vende-anëtare e përfunduan procesin e ratifikimit, pasi që sot paraprakisht atë e bëri edhe Senati italian.
Rab në profilin e tij në Tuiter kumtoi se e ka vënë nënshkrimin në Protokoll dhe theksoi se me padurim pret që Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e NATO-s.
“Me kënaqësi të madhe sot e nënshkrova Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut në NATO së bashku me ambasadoren A. Miovska. Me padurim pres Maqedonia e Veriut t’i bashkangjitet familjes së NATO-s dhe të marrë pjesë në takimin e liderëve të NATO-s në Londër dhe të ndihmojë në promovimin e paqes de sigurisë ndërkombëtare”#, shkroi ai në tuitin e tij.
Paraprakisht sot Protokolli u ratifikua edhe në Senatin italian. Protokolli kaloi në Dhomën e ulët të Parlamentit, por ratifikimi në Senat u shty për shkak të krizës politike, e cila u zgjidh me formimin e Qeverisë së re të italisë.
Falënderim për ratifikimin shprehi edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në profilin e saj në Fejsbuk. “Faleminderit Itali! Edhe një ratifikim i protokollit të NATO-s”, shkroi Shekerinska në status.
Pritjet janë se Protokolli do të ratifikohet dhe me atë anëtarësimi në NATO do të zyrtarizohet para Samitit të Aleancës, caktuar për më 3 dhe 4 dhjetor në Londër.
Por, tani për tani është e paqartë nëse kjo para Samitit do të ndodhë edhe në Parlamentin spanjoll. Dy dhomat e Parlamentit janë shpërndarë. Zgjedhjet janë caktuar për më 10 nëntor, ndërsa nëse gjithçka kalon siç duhet, prëbërja e re e parlamentit do të konstituohej më 3 dhjetor.
Ambasadori spanjoll, Emilio Lorenco Sera në intervistë për MIA-n lidhur me ratifikimin e Protokollit para samitit të Aleancës, deklaroi se nuk ka përgjigje konkrete, por, megjithatë, lë mundësi që kjo të ndodhë. Sipas tij, sukses i jashtëzakonshëm për vendin është që për vetëm nëntë muaj dokumentin e ratifikuan 22 nga 29 anëtare të NATO-s. Sera intervistën e dha para ratifikimit nga Italia dhe Britania.
Këtë javë për Protokollin duhet të deklarohet Asamblea nacionale e Francës, ndërsa procesi duhet të përfundojë edhe në Holandë dhe Islandë. Sipasm praktikës deri më tani është e zakonshme që Senati i SHBA-së i fundit e ratifikon, por për shkak të situatës në Spanjë, ende nuk dihet se kur do të caktohet mbledhja e Dhomës së lartë të Kongresit amerikan.