Në fillim të këtij muaji LG lajmëroi se do të tërhiqej njëherë e mirë nga bota e smartfonëve. Por lajmi nuk ofroi asnjë informacion në lidhje me përditësimet e softuerit dhe mbështetjen.
Tani kompania Koreano-Jugore tha se modelet e segmentit të lartë premium nga LG do të marrin tre versione madhore të Android ndërsa ato buxhetorë vetëm dy versione.
Smartfonët e përfshirë janë modelet e lançuar nga 2019 gjer më sot përfshirë seritë LG G, V, Velvet dhe Wing.
Duhet theksuar se mbështetja me tre versione Android fillon që në momentin kur është hedhur në treg dhe jo kur është blerë. Kjo do të thotë se modelet LG G dhe V lançuar në 2020-ën me Android 10 nga kutia do të marrin vetëm dy versione Android.
Megjithatë LG njihet për përditësime e ngadalta të softuerit dhe pavarësisht premtimit të tre versioneve nuk presim ndonjë ndryshim në ritmin e tyre. /PCWorld Albanian