Punonjësit e policisë së Shtetit i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama me një shkresë ku kërkojnë plotësimin e 11 pikave. Ndër më kryesoret janë paga e 13 dhe pagesa e orëve shtesë. Dokumenti mban datë 18 dhjetor dhe një kopje e tij u sigurua nga ABC News. Shkresa u dërgua në emër të 7 mijë efektivëve, sipas të cilëve kushtet e vështira në punë janë bërë të papërballueshme për ata dhe familjet e tyre.
Efektivët e policisë pretendojnë se janë më pak të paguar në krahasim me homologët Europianë, ndërsa prej vitit 2014 paga e tyre nuk ka pësuar rritje. Sindikata e policisë vëren se 80% e efektivëve kanë aplikuar për lotarinë Amerikane, ndërkohë që 70% familjeve të policëve jetojnë janë nën minimumin jetik – thuhet në shkresë.
Punonjësit kërkojnë pagesën e Dietave të prapambetura nga 2017. Por situata është edhe më alarmante për punonjësit e policisë së Tiranës. Orët suplementare nuk janë paguar nga viti 2016 për disa nga komisariatet, efektivët e të cilëve kanë qenë të pranishëm ne stadiume për ndeshjet kombëtare apo dhe të Superligës. Një pikë tjetër në kërkesat e sindikatës së policisë drejtuar shefit të qeverisë është edhe sigurimi i jetës në rast aksidenti në punë dhe përfitimi i banesave falas për familjarët e policëve që kanë humbur jetën ne krye të detyrës.
Në pikën e fundit, kërkesa e përhershme e punonjësit e policisë: uniforma blu të sigurohet falas dhe zëvendësimi i saj të bëhet pa pagesë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Në fund të shkresës, thuhet se është përgjegjësi e administratës së ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit që trupat policore te Shqipërisë ndodhen në këtë gjendje.