Pas Raportit pozitiv të KE-së, liderët politikë presin fillim të negociatave për anëtarësim

Raporti i Komisionit evropian, i publikuar të hënën, në të cilin jepen vlerësime pozitive për përparimin e vendeve dhe sërish rekomandohet fillim i negociatave për anëtarësim, e përforcoi optimizmin tek politikanët vendorë dhe tek diplomatët e huaj se Këshilli i Evropës do të sjellë vendim për fillim të procesit negociues.

Marketing

Kryeministri Oliver Spasovski vlerësoi Raporti i Komisionit evropian është fenomenal, i shkëlqyeshëm dhe i konfirmon përpjekjet e Qeverisë në zbatimin e reformave, kështu që sipas tij. është logjike të pritet të merret ajo që është merituar, përkatësisht fillim i negociatave për anëtarësim.

“Në raport, në mënyrë decide qëndron se Qeveria i ka përforcuar përpjekjet e veta në zbatimin e reformave, aty konstatohet e tërë ajo që është bërë, janë dhënë vlerësime më se pozitive për Maqedoninë e Veriut, janë ndërmarrë të gjitha masat të cilat duhet të ndërmerren në pjesën e procesit reformues dhe kjo është bazë e mirë, që sa më parë t’i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE”, deklaroi Spasovski gjatë vizitës së sotme në VK Tabanoc.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov konsideron se pas raportit pozitiv nga KE-ja, është koha që Evropa të reflektojë vendim konkret dhe të qëndrueshëm për fillim të negociatave inkuadruese.

“Por, pas përvojës gjatë dy viteve të shkuara, për fat të keq, akoma nuk mund t’i lejojmë vetes të gëzohemi. Mendoj se duhet ta shohim së pari vendimin konkret”, deklaroi Dimitrov në “Brifingun e mëngjesit” në “Sllobodna TV”.

Sipas tij, raporti është më se i mirë, i shkëlqyeshëm, sepse thotë se edhe përkundër zhgënjimit nga tetori Maqedonia e Veriut i ka rritur, intensifikuar përpjekjet në reforma dhe ka reflektuar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.

“Tani kemi një kontekst ku përbërësit për sukses janë të dukshme. Kemi mini raport se është koha të fillojmë negociata aderuese dhe shpresoj se Evropa këtë do ta shfrytëzojë edhe ajo të ofrojë. Nëse BE-ja në një kontekst të këtillë nuk ofron, praktikisht viktimë më e madhe do të jetë politika e zgjerimit, gjegjësisht BE-ja do të japë sinjal se dera është e mbyllur në një rajon i cili është i rrethuar me vende-anëtare dhe mendoj se një gjë të tillë nuk do të lejojnë”, shtoi Dimitrov.

Pritje pozitive për fillim të shpejtë të negociatave kanë edhe partitë kryesore politike. LSDM konsideron se Raporti pozitiv i KE-së paraqet vërtetim të politikave të suksesshme eurointegruese të partisë dhe liderit partiak, Zoran Zaev, përderisa VMRO-DPMNE vlerëson se vendi meritoi të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE shumë më herët.

Nxitje të optimizmit për fillim të negociatave dha ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Hajko Maas, i cili vlerësoi se pas vlerësimeve pozitive nga Eurokomisioni për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. Gjermania angazhohet për fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim të të dy vendeve në BE.

“Të dy vendet bënë progres të qartë në sferat kyçe reformuese, posaçërisht në përforcimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ne i ndajmë vlerësimet pozitive të Komisionit evropian. Prandaj angazhohemi për fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE. Negociatat inkuadruese janë vegla më e mirë që mund t’u jepet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe mbështetja më e mirë e mundshme për përparim të mëtutjeshëm”, vlerësoi Maas.

Ambasadori i BE-së në vend, Samuel Zhbogar konsideron se Maqedonia e Veriut e përfundoi detyrën e vet dhe tani në radhë janë vendet anëtare, por mendon se yjet po vendosen dhe shpreson që përfundimisht të shohë vendim për fillim të negociatave për anëtarësim.

“Vendi juaj e përfundoi detyrën e saj, duke zbatuar të gjitha reformat, përfshirë edhe miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, kështu që tani e kanë radhët vendet anëtare. Gjithçka është në tavolinë dhe ato do të duhet të bisedojnë dhe të sjellin vendim. I përmbahem optimizmit të madh sepse asnjëherë nuk dihet nëse ndonjë çështje e re nga ndonjë anë i prish diskutimet… Por, për momentin mendoj se yjet po rregullohen dhe shpresojmë se përfundimisht do të shohim rezultat pozitiv”, theksoi Zhbogari në intervistë për “TV24”.

Sipas tij, të gjitha vendet anëtare të unionit janë të kënaqura nga metodologjia për negociata, dhe për këtë nuk pret probleme të mëdha rreth miratimit të saj deri në Samitin e BE-së më 26 mars, në të cilin do të duhej të bisedohej për sjelljen e vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim me vendin tonë dhe me Shqipërinë.

Zhbogari vlerëson se BE-ja nuk dëshiron që t’i përsëritet përvoja nga Samiti në tetor dhe nuk do të mundet të lejojë edhe një takim në Këshillin Evropian pa vendim për fillimin e negociatave.

Ambasadori francez në vend, Kristian Timonie në takimin e djeshëm me kryeministrin Oliver Spasovski theksoi se Franca sheh me optimizëm ndaj raportit të Komisionit evropian, si dhe ndaj metodologjisë për zgjerim si bazë inkurajuese për sjellje të vendimit për fillim të negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut.

Në pritje të Samitit të BE-së nga fundi i muajit, nesër Komisioni për çështje evropiane të Parlamentit holandez do të diskutojë për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për “takim procedural” të Komisionit parlamentar për çështje evropiane në të cilën deputetët “do të vendosin për mënyrën në të cilën do të trajtohen” dokumente të ndryshme, përfshirë edhe “nota qeveritare” për zgjerimin e BE-së dhe për Ballkanin Perëndimor.

Komisioni evropian në raportet e publikuara të hënën. thekson se Shkupi dhe Tirana i kanë përmbushur kriteret për fillim të negociatave dhe se pret që këshilli i BE-së në javët në vijim të sjellë vendim pozitiv për fillimin e tyre.

Në raportin për vendin notohet përparimi në sferat kyçe reformuese, si gjyqësi, gjykimet për korrupsion, përfshirë edhe rastin me PSP-në, sigurinë dhe administratën publike.

Dokumenti konkludon se duke pasur parasysh “përparimin e konsiderueshëm dhe përmbushjen e kushteve unanimisht të vendosura nga Këshilli në qershor të vitit 2018, Komisioni rekomandoi në pakon e saj të zgjerimit në vitin 2019 se Këshilli duhet të fillojë negociata me Maqedoninë e Veriut. Marrë në përgjithësi, Maqedonia e Veriut i rriti përpjekjet e veta dhe reflektoi rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në sferat kyçe”. Prej këtu, Komisioni evropian rekomandon se vlerësimi nga viti 2019 nuk ka ndryshuar dhe se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë negociata me BE-në.

Pritet që Këshilli e Evropës të sjellë vendim për fillim të negociatave më 26 mars, para samitit “BE – Ballkani Perëndimor”, që në maj do të mbahet në Zagreb.

Marketing