Pas referendumit, Maqedonia i rikthehet pasigurisë politike

omiteti Ekzekutiv i LSDM-së, partisë qeverisëse pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme deklaroi, se deputetët duhet ta ndjekin vullnetin e shprehur të shumicës prej mbi 600 mijë qytetarë, të marrin përgjegjësi dhe të përshpejtojnë proceset për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. “Nëse kjo nuk është e mundur dhe VMRO-DPMNE edhe më tej e frenon të ardhmen e qytetarëve dhe e zhyt vendin në humnerë, atëherë nuk ka opsion tjetër përveç zgjedhjeve të parakoshhme parlamentare, ku qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Marketing

Hapa drejt zgjedhjeve

Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv kanë autorizuar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe koordinatorin e grupit parlamentar, Tomisllav Tuntev që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm në drejtim të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Anëtarët e Bordit vlerësuan po ashtu, se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë demokratike, dhe t’u mundësohet deputetëve të ndjekin zërin e qytetarëve dhe të sigurojnë anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Askush nuk duhet të besojë në amnisti. Bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme, për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e qytetarëve dhe fokusi i të gjitha partive politike duhet të jetë kjo çështje. Çdo gjë tjetër është lojë me të ardhmen dhe përpjekje për kthimin e vendit në izolim”, thekson në deklaratën partiake LSDM.

VMRO-DPMNE: Qeveri teknike me afat 100 ditor

Por VMRO DPMNE në opozitë ka tjetër qëndrim. Kjo parti jo vetëm që nuk e njeh rezultatin e referendumit, por kërkon dorëheqjen urgjente të kryeministrit Zaev, formimin e qeverisë teknike, emërimin e prokurorit të ri publik dhe formimin e komisionit anketues që do të hetonte parregullësitë e referendumit si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Iniciativa për formimin e komisionit anketues ndërkohë është dërguar. Ai do të ketë detyrë t’i hetojë të gjitha parregullsitë në ditën e referendumit. Kërkojmë dorëheqjen e prokurorit aktual publik që është propozuar nga qeveria. Nëse LSDM këmbëngul në zgjedhje, duhet që menjëherë të respektohet marrëveshja e Përzhinës dhe formimi i një qeverie teknike me mandat prej 100 ditësh. Kjo do të thotë dorëheqje e Zaevit, Spasovskit, dhe Carovskës dhe emërimi në pozicionet e ministrave të Punëve të Brendshme dhe Politikës Sociale, të ministrave të VMRO-DPMNE-së në një afat 100 ditor”. Deklarata ka ardhur nga Aleksandar Nikollovski deputet i VMRO-DPMNE-s. Sipas VMRO-së , vetëm ky është parakusht për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zaev: Kërkesat e VMRO-DPMNE-s janë të papranueshme

Kërkesa e VMRO-DPMNE-së për qeveri teknike me mandat prej 100 ditësh sipas modelit të Përzhinës, për prokuror publik dhe Komision anketues parlamentar për referendumin janë absolutisht të papranueshme, ka thënë kryeministri Zoran Zaev. “As që ka shkak, as edhe nevojë të diskutohet për kërkesa të tilla. Vetë institucionet dhanë komentet e veta. Të kërkohet komision, i cili do ta verifikojë nëse referendumi ka qenë ligjor, nëse ka pasur ligjshmëri në zbatimin në kushtet, kur kryetari i KSHZ-së është nga VMRO-DPMNE, edhe Gjykata Administrative, e cila nuk ka ndërruar asnjë anëtar, vetvetiu tregon se çka dëshirohet me kësa kërkesa”, ka thënë Zaev.

I pyetur nëse do të ulet për bisedime me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kryeministri Zaev tha se nuk ka se çfarë të bisedojë me të. “Në të kaluarën dhamë kartë blansh për qeveri teknike. I pranuam kërkesat për financimin e partive politike, e formuam KSHZ-në me kryetar të VMRO-DPMNE-së. Në kthim as dëshiruan të bisedojnë për ndonjë mënyrë për mbështetje të suksesshme të proceseve që janë të rëndësishme për Maqedoninë”, vlerësoi Zaev. Kryeministri Zaev pritet që në ditët në vijim të bisedojë me deputetët në Kuvend, siç tha, në një atmosferë normale dhe shoqërore.

Marketing