Pas Sirisë, Trump pritet të tërheqë mijëra trupa ushtarake nga Afganistani

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, pritet të tërheqë mijëra trupa ushtarake nga Afganistani, raportojnë mediat amerikane.

Marketing

Raportimet, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, thonë se rreth 7,000 trupa – afërsisht gjysma e ushtarëve amerikanë në Afganistan – mund të kthehen në shtëpi brenda disa muajsh.
Këto raportime vijnë një ditë pasi Trump njoftoi për tërheqjen e trupave ushtarake nga Siria.

Gjatë ditës së djeshme, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka njoftuar dorëheqjen e tij nga ky post.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Mattis përmend pikëpamjet e ndryshme me presidentin Trump, por nuk e thotë se kjo ka të bëjë me tërheqjen e trupave ushtarake, në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Para zgjedhjes së tij, Trump ka përsëritur vazhdimisht se trupat ushtarake duhet të largohen nga Afganistani, por vitin e kaluar ai tha se do të mbante ushtarët atje për një kohë të pacaktuar për të parandaluar kolapsin e vendit, për shkak të ‘ringjalljes’ së talebanëve.