Pas tërmeteve, Turqia shpall gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.

Marketing

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.

Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Autoritetet turke thanë se numri i viktimave nga tërmetet është rritur në 3.549. Orhan Tatar, zyrtar në Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se 20.426 persona të tjerë janë plagosur dhe 5.775 ndërtesa kanë kolapsuar.

Në Siri, në zonat e kontrolluara nga Qeveria, janë raportuar 812 persona të vdekur, tha agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Kjo agjenci tha se 1.449 persona janë plagosur në provincat Alepo, Lakatia, Hama, Idlib dhe Tartus.

Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, më herët u raportua se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 7 shkurt se deri më tani, 70 shtete kanë ofruar ndihmë për të kërkuar të mbijetuar të tërmeteve.

Ai tha se shteti planifikon të hapë hotelet në zonën e Antalisë për të strehuar njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Më herët gjatë ditës, Qeveria turke tha se mbi 13 milionë persona brenda vendit janë prekur nga tërmetet e fuqishme.

“Ky tërmet ka prekur drejtpërdrejtë 13.5 milionë qytetarë tanë”, tha ministri i Urbanizmit, Murat Kurum.

Disa nga rrugët ende nuk janë të qasshme dhe ekipet po punojnë që ato të hapen për qarkullim. Ai tha se disa rajone kanë mbetur pa ujë.

“Dhimbja është e papërshkrueshme”, tha ai, duke shtuar se çdo orë është e çmuar.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijë (UNICEF) shprehu frikën se nga tërmetet në Turqi dhe Siri mund të jenë vrarë mijëra fëmijë.

“Tërmetet që goditën jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e ditës së djeshme, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.

Ndërkaq, shtetet në mbarë botën kanë thënë se do të dërgojnë ekipe për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, por deri më tani vetëm pak ekipe kanë arritur në vendngjarje.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ftohta dhe nga afër 200 dridhje pasuese të tokës, që kanë bërë të rrezikshme kërkimet në strukturat e paqëndrueshme.

Në provincën Hataj, zyrtarët thanë se 1.500 ndërtesa janë shkatërruar dhe shumë persona raportohet se kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, pa ndihmë dhe pa ekipe të kërkim-shpëtimit.

Në këtë provincë, mijëra persona janë strehuar në qendra të sportit apo në dyqane të mëdha ushqimore, ndërsa të tjerët janë detyruar që ta kalojnë natën jashtë.

Tërmeti, që kishte epiqendrën në provincën turke Kahramanmarash, ka detyruar që banorët e Damaskut dhe Bejrutit të kalojnë natën nëpër rrugë, përderisa dridhjet e tokës janë ndierë deri në Kajro.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare.

Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve të fuqishme.

Bashkimi Evropian njoftoi se do të dërgojë mbi 1.000 shpëtimtarë dhe qen për të kërkuar të mbijetuar në Turqi.

Njësitë janë nga 19 shtete evropiane, përfshirë edhe dy shtete që nuk janë pjesë e BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Ndërkaq, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili tha se ishte i gatshëm të dërgonte një ekip të kërkim-shpëtimit prej 60 personat si dhe furnizime mjekësore.

Qeveria pakistaneze ka dërguar një avion me pajisje të ndihmës dhe me një ekip të shpëtimit prej 50 anëtarësh. Ky shtet tha se do të organizojë fluturime ditore për në Siri dhe Turqi duke nisur nga 8 shkurti.

India tha se do të dërgojë dy ekipe të kërkimit dhe shpëtimit, përfshirë edhe qen të trajnuar dhe personel mjekësor.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bisedoi me Erdoganin dhe i ofroi ndihmë. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni do të dërgojë një ekip të kërkim-shpëtimit për t’i ndihmuar Turqisë në përpjekjet e saj. /REL