Pas zyrtarizimit të kandidaturave, janë prononcuar Valdet Xhaferi dhe Mersel Sadiku dy pretendentët për drejtimin e degës së BDI në Gostivar
“Të nderuar, prej sot fillon edhe zyrtarisht fushata zgjedhore brenda organizatës sonë politike, ndaj ndjej për obligim që bashkë me ju të ndaj pjesë të programit për rrugëtimin tonë të përbashkët për vitet e ardhëshme brenda degës së BDI-së në Gostivar. Programi që do të prezentohet para jush gjatë ditëve në vijim është rezultat i diskutimeve, debateve dhe sygjerimeve të më shumë anëtarëve të BDI-së! Ky program kaloi një proces inkluziv në mes grupeve tematike të punës, të cilat mbështeten dhe përfshijnë parimin e ekspertizës në terren, por edhe parimet e përvojës dhe interesimit për çështje me interes të përbashkët dhe publik, duke gërshetuar kapacitetin rinor dhe përvojën brenda përbrenda BDI-së. Ne si shoqëri duhet të kemi synime e qëllime për të çuar punët e projektet përpara. Kemi dije, guxim e vendosmëri për ta bërë këtë. Kemi edhe kurajo për llogaridhënie e përgjegjësi. Koha nuk pret! Na priftë e mbara! Të bashkuar për fitore”, shkruan Xhaferi.
“Të dashur anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të Bashkimit Demokratik për Integrim! Ju njoftoj se sot u zyrtarizua kandidatura ime për Kryetar të Degës së BDI-së Gostivar. Prej ditës së nesërme do të vijojnë takimet nëpër këshillat vendorë ku do t’ju prezantoj me platformën, vizionin dhe konceptin për drejtimin e degës në periudhën 4-vjeçare. Gostivari meriton më shumë, meriton më mirë, dhe meriton tani. Bashkë për progres”, shkruan Sadiku.