Pasaportat me emrin e ri të shtetit, Osmani: Shqyrtohet edhe mundësia që të dëmshpërblehen qytetarët

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në “10 Minuta” në TV21 tha se kryeministri Talat Xhaferi ka formuar grup pune për gjetjen e zgjidhjes për problemin me nxjerrjen e pasaportave me emrin e ri të shtetit. Osmani tha se po shqyrtohet edhe mundësia që të dëmshpërblehen qytetarët që kanë afat në pasaportën me emrin e vjetër të shtetit, por që janë të detyruar që ta ndërrojnë pasaportën pas zotimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës për ndryshim të emrit nga Maqedonia, në Maqedonia e Veriut.

Marketing

“Me kryeministrin e ri, që në seancën e parë menjëherë u formua një grup pune për gjetjen e zgjidhjeve. Zgjidhje për të cilat ka disa skenarë, nga mundësia që shteti të dëmshpërblejë ata që kanë pasaportë të vlefshme dhe duhet ta ndryshojnë atë për shkak të Marrëveshjes, deri te mundësia e riorganizimit të shërbimeve. Sot ishte takimi i parë i atij grupi punues”, thotë Osmani në TV21.

Ndryshe, më 12 shkurt skadon afati për përdorimin e pasaportave me emrin e vjetër të shtetit.