Me Prof. Paskal Milon bisedova dje edhe si me një historian, por në radhë të parë si ish-ministër i Jashtëm. Ai është me pushime në bregdetin e tij të preferuar, në Palasë, por nuk ndahet për asnjë moment nga zhvillimet politike në vend dhe në rajon. Me librat e historisë në tryezë ai punon pareshtur për ngjarje të së kaluarës dhe të aktualitetit. Me të njëjtin interes ai ndjek zhvillimet aktuale, peripecitë dhe negociatat që po bëhen mes partive politike shqiptare e maqedonase në Maqedoninë e Veriut për krijimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme që u zhvilluan muajin e kaluar. Prof. Milo mendon se sot është koha e burrave të urtë dhe e grave të mençura që nuk mungojnë në mes të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Po si i përgjigjet pyetjes se a ka ardhur koha që të jetë një kryeministër shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut?Sidoqoftë, biseda e mbrëmshme është më shumë një prononcim, se sa një intervistë e mirëfilltë, të cilën mund ta zgjerojmë e shtjellojmë më hollësisht në ditët në vijim.
Interesimit të gazetës DITA për fatin e negociatave dhe të qeverisë që pritet të formohet së shpejti në Maqedoninë e Veriut, Profesor Milo iu përgjigj:
– I dashur Xhevdet, nuk ka vend për shqetësim të shtuar rreth krijimit të qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut. Fituesja e zgjedhjeve, LSDM, sapo ka marrë mandatin për krijimin e saj dhe ka filluar negociatat me partnerin e saj te mëparshëm BDI. Deri këtu krejt normale. Mendoj se nga të gjitha pikëpamjet, Maqedonisë së Veriut i bëhet mirë me një qeveri koalicioni mes LSDM, BDI dhe ndonjë partie tjetër shqiptare. Jo thjeshtë për sigurimin e numrave, por për një qeverisje që mund të garantonte zhvillime më të qëndrueshme demokratike në vend dhe avancim në zbatimin e marrëveshjeve të mirënjohura që garantojnë një rol në rritje të shqiptarëve në stabilitetin dhe bashkëqeverisjen demokratike të vendit.
Por përvoja në Maqedoninë e Veriut e gjithandej në rajon ka dëshmuar se krijimi i qeverive të koalicionit mbetet një ushtrim i vështirë demokracie e pjekurie politike për partitë politike shqiptare. Në rastin konkret në vendin fqinj ajo çfarë mund të ngatërrojë formulën qeverisëse të kompromisit është kërkesa shqiptare për kryeministrin. Ajo e ka ngarkuar atmosferën me ethe nacionaliste që mund të vështirësojnë negociatat ose mund t’i përmbysin ato. Nëse VMRO – DPMNE e bën spekulimin me kosto të lartë politike që ia ofron BDI-së postin e kryeministrit dhe e pamundëson LSDM-në nga krijimi i qeverisë, kjo zgjidhje do të ishte si një fitore e Pirros dhe jo funksionale dhe as jetëgjatë. Zgjidhja e shëndetshme duhet kërkuar brenda partneritetit LSDM-BDI me formula kompromisi jo aq shumë për emrin e kryeministrit se sa me platforma qeverisëse që çon përpara bashkëjetesën e bashkëqeverisjen shqiptaro- maqedonase.
Shqiptarët kane kapur nivelin më të lartë të përfaqësimit politik në parlament, por ata nuk janë unik dhe ky është rreziku më i madh i që mund ta sabotojë këtë arritje historike. Prej tyre sot kërkohet më shumë mençuri politike dhe jo pasione nacionaliste dhe, po kështu, as edhe prova force. Kosova me modelin e saj të fundit dha provën më të keqe se sa kosto të lartë ka përçarja dhe mosmarrëveshja ndërshqiptare. Shqiptarët kanë mes tyre luftëtarë të paepur, por sot është koha e burrave të urtë dhe e grave të mençura. Ata nuk mungojnë në mes të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Është koha e tyre. Shansi nuk duhet humbur e nuk vjen së dyti.
– Sidoqoftë, Profesor, pavarësisht argumentimit që sapo bëtë, a mendoni se ka ardhur koha që të jetë një kryeministër shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
– Nuk është koha ajo që përcakton ardhjen ose jo të një kryeministri shqiptar. Krijimi i qeverive dhe caktimi i kryeministrit është rrjedhoje e raportit të forcave politike që krijohen nga shprehja e vullnetit të zgjedhësve. Në Maqedoninë e Veriut, me pak përjashtime deri tani, por edhe në një të ardhme të afërt elektorati është e do të jetë mbi baza nacionaliste e do të reflektojë në hartën politike të vendit. Shqiptarët nuk kanë shans tani e në të ardhmen e afërt që të kenë një mazhorancë elektorale dhe të drejtën për t’u ngarkuar me formimin e qeverisë. Kjo është logjika dhe verdikti i shifrave. Por si çdo rregull ka edhe përjashtime. Përvoja botërore, por edhe evropiane, ka dëshmuar që, në konjuktura të caktuara, një minorancë politike por jo etnike ka marrë të drejtën të ketë kryeministrin në një qeveri koalicioni. Kjo mund të jetë një opsion teorik edhe për Maqedoninë e Veriut. Por ajo që unë dua të them si përfundim është që përkundrejt urimit që kjo të ndodhë, këshilloj një qasje më modeste dhe më graduale nga spektri politik shqiptar aty. Nuk duhet harruar se Maqedonia e Veriut ka arritur deri këtu në saje edhe të një mbështetjeje dashamirëse të faktorëve ndërkombëtarë të cilat nuk do të pranojnë që investimi i tyre shumëvjeçar të shkojë dëm për kapriçiot apo ambiciet personale e partiake te veçanta. Nuk duhet harruar se të vegjlit nuk janë sovranë që të bëjnë atë që duan. Ky është realiteti i botës ku jetojmë dhe shqiptarët janë të pafuqishëm që t’i dalin kundër.
Bisedoi: Xhevdet Shehu