6 muaj pas shpalljes së emergjencës shëndetësore globale, pandemia covid 19 ka shkaktuar një ndikim rrënjësor në ekonomitë e vendeve por edhe në mënyrën e jetesës. Sipas organizatës botërore të shëndetësisë, nuk duhet hequr dorë nga vigjilenca pasi virusi mbetet mes nesh.
Në disa vende të Europës ka patur një rritje të konsiderueshme të rasteve të infeksionit pas rihapjes, ndërsa krerët e shteteve këshillojnë me ngulm mbajtjen e maskës, ruajtjen e distancës fizike dhe higjenës personale.
Pak javë pas hapjes së kufijve të brendshëm në union, Gjermania ka paralajmëruar shtetasit e saj që të shmangin udhëtimet jo thelbësore në Katalonjë, Navarra dhe Aragon. Tre rajone spanjolle ku numri i të infektuarve me koronavirus është rritur ndjeshëm. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn gjithashtu ka bërë të ditur se testet e koronavirusit do të bëhen të detyrueshme për këdo që udhëton në zonat me rrezik të lartë.
Nga ana tjetër, Britania e Madhe ka vendosur izolim të detyruar 14 ditor për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Spanja. Ky vendim ka ngjallur reagime aspak pozitive ndërsa kryeministri Pedro Sanchez e konsideron të padrejtë duke shtuar se virusi është nën kontroll.
Ndërkohë, Belgjika ka vendosur kufizime të reja në tubimet sociale. Nga e mërkura nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se 100 personave në ambiente të mbyllura dhe jo më shumë se 200 në hapësira publike. Deri më tani, Belgjika ka reflektuar nivelin më të lartë të infeksionit në Europë.