Pasojat mbi ekonominë, Janmat: Qeveria ndërmori masa si ato në BE

BE parashikon rënie ekonomike prej 3.9% në Maqedoninë e Veriut. Shefi i Departamentit Ekonomik të Delegacionit pranë Komisionit Evropian Frenk Janmat tha se Qeveria e RMV-së ka ndërmarrë hapa logjike të ngjashme me ato në BE për ballafaqimin me pasojat e Kovid 19.

Marketing

Në raport, siç theksoi Janmat, thuhet se pas përshpejtimit të rritjes ekonomike në vitin 2019, perspektiva ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm si rezultat i pandemisë me Kovid-19.

Kërkesa e jashtme është goditur shumë nga ndërprerjet e tregtisë, ndërsa kufizimet lokale po e ngadalësojnë kërkesën e brendshme.

“E dimë që ulja e eksportit, kërkesa e brendshme më e ulët do të sjellin deri në uljen e tregut dhe të importit. Kur bëhet fjalë për investimet shumë herët është të thuhet, por nëse gjendja e jashtëzakonshme përfundon në fund të majit, atëherë shpresojmë se do të shohim permirësim në pjesën e invetimeve, e stimuluar nga fati që RMV jo larg mori dritë të gjelbërt për fillimin e negociatave me BE-në. Kjo i jep parashikueshmëri shtesë klimës investuese” – u shpreh Frank Janmat, Shef i Departamentit për Ekonomi pranë KE.

Sipas parashikimeve, rënia e pritshme e të ardhurave në vitin 2020 do t’i rrisë nivelet e borxhit, më shumë se sa parashikohej dhe pritej. Në varësi të kohëzgjatjes së kufizimeve, raporti i borxhit mund të stabilizohet në nivelin që ishte në vitin 2019 vetëm pas vitit 2021, thonë vlerësimet e KE-së.

Ekonomia vendore do të ndikohet edhe nga situata e krizës në vendet tjera.

“Nëse e merrni në konsideratë faktin që RMV ka ekonomi të hapur mund të prisni që situata me parnerët e saj kryesor do të ketë efekt të madh në vend. Pritet që ekonomia e BE të ulet për rreth 7% këtë vit. Kjo sigurisht se do të ketë ndikim edhe mbi Maqedoninë.” – deklaroi Frank Janmat.

Sa i përket punësimeve, në raportin e KE-së theksohet se krijimi i vendeve të punës ishte mjaft i madh në vitin 2019, ndërsa shkalla e papunësisë ishte në rënie, në vitin 2020 do të ketë kthesë.

Parashikimet, sipas raportit, janë që derisa vitin e kaluar shkalla e papunësisë ishte 17.3 për qind, këtë vit do të jetë afërsisht 18.1 për qind. Por nëse kriza e koronës vazhdon edhe gjatë verës, ajo do të çojë në rënie të punësimit, ulje të të ardhurave dhe shpenzimeve, si në familje ashtu edhe në qeveri.