Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski tashmë disa ditë me radhë vazhdon të mos respektoj ligjin por edhe hierarkinë, përkatësisht të mos dëgjojë thirrjet e Qeverisë, në këtë rast të kryeministrit Zoran Zaev i cili i ka kërkuar që të respektoj ligjin lidhur me sistemimin e nëpunësve administrativ të deleguar nga ministria për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive.
Paunovski hapur ka deklaruar se refuzon të pranojë këta nëpunës administrativ pasi që sipas tij ata janë të panevojshëm. Ai gjithashtu disa herë ka përsëritur se këta nëpunës administrativ nuk kanë aftësi profesionale duke ofenduar në këtë mënyrë shqiptarët.
“Me japin 35 njerëz për në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë, kurse atje nuk kemi nevojë për punësime të reja. Andaj këto të punësuar të rinj s’kemi ku t’i sistemojmë, nuk kemi vend nëpër zyra, përsëri do të duhet të rrinë në shtëpi. Një pjesë e kuadrove që na jepen nuk janë me arsimin e nevojshëm dhe nuk përshtaten me pozitën e inspektorit.”, ka deklaruar Paunovski.
Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se shkarkimi i Paunovskit do të bëhet si rezultat i kundërshtimit të tij mediatikisht ndaj tij por edhe ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi.
Sipas Zaev drejtori i Inspektoratit të tregut është emëruar nga Qeveria dhe po nga ajo edhe do të shkarkohet meqë refuzoi pranimin e 32 administratorëve të cilët i takuan pas sistemimit me planin e Ministrisë për Sistem Politik.
“Nuk mundet që secilën ditë të konfrontohet me zv/kryeministrin, tani edhe me kryeministrin, një drejtor që është emëruar nga Qeveria. Nuk mund të toleroni që publikisht të bëhen kështu komente duke nënçmuar ata që janë më lart në hierarki për diçka që është aq transparente dhe e vendosur në aq baza të shkëlqyeshme dhe të sinqerta” ka deklaruar Zaev.
Ju kujtojmë se në Inspektoratin Shtetëror të Tregut nga gjithsej 18 njësi vetëm 4 udhëhiqen nga shqiptar, kurse prej 4 shqiptarëve 3 janë me autorizim edhe atë në njësinë e Tetovës dhe Strugës.
Drejtori Paunovski harron faktin që në radhët e inspektorëve të tij ka të punësuar persona me fakultete “joadekuate” siç i quan ai. Sa për ilustrim, inspektorja Martina Paneva para 1 apo 2 viteve është punësuar në këtë inspektorat si inspektore, por jo me shkollim të kryer adekuat, ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin për Siguri në Shkup. Për të qenë ironia edhe më e madhe, inspektorja e lartpërmendur në po këtë institucion ka të punësuar edhe të ëmën e saj.
Gjithashtu mësojmë se edhe hierarkia e këtij inspektorati lë për të dëshiruar. Struktura Organizative e Inspektoratit Shtetëror të Tregut kryesisht përbëhet nga maqedonas etnik, p.sh aty ka 2 udhëheqës sektorësh të etnisë maqedonase të cilët edhe ndihmësit i kanë maqedonas.
Në Inspektoratin Shtetëror të Tregut ka të punësuar inspektorë me fakultet të gastronomisë dhe plot të tjerë me fakultete të ndryshme që d.m.th se nuk kanë të përfunduar të gjithë juridikun ose fakultetin ekonomik siç tani kërkon Paunovski.
Me këtë mund të nënkuptohet se drejtori i tanishëm Stojko Paunovski nuk do shqiptarë në institucionin që ai udhëheq dhe pikërisht është kjo ngarkesë e tija nacionaliste pse ai nuk respekton vendimet e qeverisë.
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës tashmë i ka dorëzuar Paunovskit prej kohësh udhëzim të saktë për ndryshim të sistematizimit dhe ai me më këtë mos respektim po shkel ligjin për shpërndarjen e nëpunësve administrativ të punësuar përmes programit K5