PDE, partia më e re në skenën politike

Skenës politike iu shtua edhe një parti shqiptare. Bëhet fjalë për Partinë Demokratike Evropiane. Në Kuvendin themelues të këtij subjekti të ri, si kandidat i vetëm, për kryetar partie u zgjodh Arjanit Hoxha. Për të, PDE do të jetë vlerë e shtuar për skenën politike ndërsa fokusi i tyre do të jetë integrimi i vendit në Bashkimin Europian.

Marketing

“Sfida e parë që na pret para nesh është pikërisht sfida e ndryshimeve kushtetuese të cilat ne do të duam që të kalojnë shkaku se hapin derën për integrim në Bashkimin Evropian. Në rast të skenarit që nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese shteti hyn vërtetë në një rrezikshmëri të humbjes të një procesi shumëvjeçar që është ndërtuar me kaq mund. Normalisht atëherë do të ketë skenarë të ndryshme dhe ne nuk do të pozicionohemi aspak me politikanë dhe struktura politike të cilat duan ta izolojnë vendin dhe nuk i mendojnë të mirën dhe të ardhmen e të qytetarëve.”- deklaroi Arjanit Hoxha – kryetar i PDE-së.

Deputeti Bastri Bajrami i cili tanimë është pjesë e kësaj partie, ndërsa Hoxha paralajmëroi se ai në Kuvend do të funksionojë në mënyrë konstruktive. I pyetur nëse deri në zgjedhjet e ardhshme do të lidhin bashkëpunime me subjekte tjera politike, Hoxha tha se si parti do të jenë në kombinime fituese të cilat do të sigurojnë të ardhmen evropiane të vendit.

“Absolutisht vlerësoj se do të jetë një kombinim ngadhënjyes dhe fitues. Do jetë ashtu si kemi treguar në të kaluarën, se këta janë njerëz të një strukture politike që bashkërisht kemi udhëtuar ndër vite dhe besoj që do jemi në kombinime fituese por ajo që është më e rëndësishme në kombinime të cilat do të sigurojnë të ardhmen evropiane të vendit.”- tha Arjanit Hoxha – kryetar i PDE-së.

Në fjalimin hyrës, Hoxha e pranoi se partia e tij po hapet në një moment absurd politik mirëpo siguron që në të ardhmen do ta vërtetojnë se ka qenë veprim i duhur. Siç njoftuan nga partia, vëmendja kryesore e tyre do të jetë në disa pika themelore dhe atë: rëndësia e familjes tradicionale, arsim dhe shëndetësi cilësor, lufta kundër nepotizmit dhe klientelizmit, ruajtja e vlerave autoktone kulturore, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Përndryshe PDE po vlen si një fraksion i Lëvizjes Besa. Arjanit Hoxha, si zëvendëskryetar i saj, nuk u pajtua me kryetarin e saj Bilall Kasami kur ky i fundi vendosi ti bashkëngjitet frontit opozitar shqiptar me Izet Mexhitin dhe Afrim Gashi, e që të cilët gjithë së bashku kanë 7 deputetë.