Në vazhdën e përgatitjeve të kongresit të shtatë të Partisë Demokratike Shqiptare dje u mbajtën kuvende të rregullta të degëve të PDSH-së në Dollnen dhe Gostivar. Punimet e këtyre kuvendeve i ndoqi kryetari i partisë, Menduh Thaçi, si dhe kryetari i këshillit për organizimin e kongresit të partisë, Azem Sadiku.
Në kuvendin e degës së Dollnenit për kryetar të degës u zgjodh Sadri Beadini, kurse në Gostivar për kryetar të degës u zgjodh Vildan Memedi. Gjithashtu në këto kuvende u zgjodhën kryesitë e degëve, delegatët e kongresit, si dhe propozimet për anëtarë të kuvendit qendror të Partisë Demokratike Shqiptare.
Kryetari Thaçi në fjalimin e tij përshëndeti aderimet e reja dhe interesimin e madh të shqiptarëve për anëtarësim në PDSH, si dhe potencoi se dyert e Partisë Demokratike Shqiptare janë të hapura për të gjithë shqiptarët pa marrë parasysh bindjet e tyre politike.