PDSH: Të ruhet dinjiteti i punëtorëve të arsimit

Sot, Komisioni për Arsim pranë PDSH mbajti konferencë për shtyp në të cilën nënkryetarja e partisë apeloi që të ruhet dinjiteti i punëtorëve të arsimit. Me këtë rast, znj. Valbona Toska i’u drejtua Ministrisë së Arsimit me disa çështje dhe pyetje që i tangojnë interesit publik. Të njejtat i gjeni në fjalimin e plotë dhe videon e mëposhtme.

Marketing

“Të nderuar qytetarë,

Në këto ditë të vështira për të gjithë ne, Partia Demokratike Shqiptare me të gjitha kapacitet e saj është përqendruar në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë dhe në sigurimin e kushteve për përballje sa më të suksesshme me pandeminë e virusit Korona. Këto padyshim përbëjnë prioritetin tonë.

Në këtë drejtim, për të sqaruar disa çështje që i preokupojnë qytetarët tanë, i drejtohemi ministrit të arsimit që t’ia bëjë të ditur opinionit rolin e tij dhe veprimet që parasheh t’i ndërmarrë në funksion të tejkalimit të kësaj gjendjeje.

Cilat janë projektet financiare të Ministrisë së Arsimit në kuadër të gjendjes aktuale?

Si është paraparë vijimi i çështjes së rrogave punonjësve të arsimit?

Paralajmërimet për dy muajt e parë janë që rrogat të barazohen me pagën minimale.

Po pas kësaj?

Mos vallë qëllimi i pushtetit është që dinjiteti i mësuesit, i arsimtarit, i profesorit, i cili edhe në këto kushte bën përpjekje maksimale për të realizuar obligimet e tij, të denigrohet deri në atë shkallë, sa punonjësi i arsimit të brengoset për mbijetesën e tij fizike?

Çfarë do të thotë ministri i arsimit për përgatitjen profesionale të kuadrit që qëndron në ballë të institucioneve përgjegjëse për ballafaqim me këtë situatë të rëndë?

Në krye të Ministrisë së Arsimit 14 vjet qëndron kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim që jo vetëm lejoi, por inkurajoi drejtpërsëdrejti shkatërrimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe kështu pengoi edhe ngritjen e mirëfilltë profesionale të shqiptarëve.

Dhe tani, kur në krye të institucioneve kemi njerëz që flejnë gjumë derisa në spitalet që u ofrojmë shërbime kryesisht shqiptarëve kemi vetëm një aparat respiracioni për rreth 300 000 mijë banorë, kur spitalet me kushtet e tyre higjienike paraqesin burim infeksioni, kur në mjediset shqiptare mungojnë specialistët e fushave përkatëse të mjekësisë siç janë epidemiologët dhe infektologët edhe përkundër faktit që Qendra Klinike Universitare e Tetovës ekziston që nga viti 2007, pyesim publikisht subjektin politik BDI që 18 vjet siguron pushtet me mashtrime, çfarë përgjegjësie mban për këtë gjendje? Gjendje, gjatë së cilës po del në pah qartazi mungesa e kuadrit profesional, gjendje, gjatë së cilës shqiptarët në krye të institucioneve relevante demonstrojnë paaftësi dhe neglizhencë.

I sugjerojmë ministrit të arsimit të mos presë aktualiteti t’ia imponojë dhe diktojë veprimet, por të marrë përgjegjësinë dhe t’u paraprijë zhvillimeve që vijnë.

Të mos presë p.sh. të vendosë për provimet e Maturës në varësi të asaj a do të përfundojë pandemia deri në maj apo deri në qershor, por duke u nisur nga fakti se maturantët nuk ndjekin mësim të rregullt dhe se janë shkëputur nga mësimi pikërisht në kohën kur zakonisht intensifikohen aktivitetet dhe ushtrimet rreth Maturës Shtetërore, të marrë vendim, jo për shtyrje, por për anulim të tërësishëm të provimeve të Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2019/2020.

Ushtrimi i pushtetit nuk nënkupton të përfitosh të mira nga kolltuku ku je ulur, por para së gjithash të kesh kompetencë dhe aftësi t’u bësh ballë edhe sfidave nga më të ndryshmet.

Kuadri i BDI-së deri më tani na ka dëshmuar sa dhe si i shijon të mirat e pushtetit, kurse këto ditë edhe më mirë po dëshmon sa dhe si është i aftë për të mbrojtur shqiptarët.”