PE: Negociatat me Serbinë, pasi të vendoset në linjë të njëjtë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë

Në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg është votuar Rezoluta për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, me në fokus forcimin e rolit të bllokut nëpër botë por edhe reagimin në raport me rrethanat e reja ndërkombëtare të krijuara, pas agresionit rus në Ukrainë.

Marketing

Ballkani Perëndimor zë një vend kyç në disa pjesë të rezolutës me thirrjet që blloku të përshpejtojë procesin e zgjerimit, si me vendet kandidate, ashtu edhe me kandidatët potencialë.

Nënvizohet po ashtu rëndësia e heqjes sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, e përshëndetet nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.

Vëmendje e veçantë i kushtohet sakaq influencës negative të Moskës në rajon dhe qëllimeve të saj për të mbjell përëarje e destabilizim, ndërsa nënvizohet nevoja që ky ndikim të parandalohet.

Vërejtje i tërhiqet sidomos Serbisë që të respektojë vlerat europiane dhe të përshtasë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së. Po ashtu, theksohet se vazhdimi i negociatave të anëtarësimit me Serbinë do të bëhet vetëm pasi ky shtet të jetë në linjë të njëjtë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

“Parlamenti Europian nënvizon se të gjitha vendet që duan të bashkohen me BE-në duhet në tërësi të përshtaten me vlerat themelore dhe politikat e përbashkëta lidhur me agresionin e paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në rezolutë.

Teksti ishte miratuar më parë në Komisionin e Politikës së Jashtme.

Marketing