Peleshi falënderon Kosovën: Situata me zjarret në Kalimash është nën kontroll

Nga Kukësi, ku po inspekton situatën e zjarreve, Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi deklaroi se gjendja aktualisht është nën kontroll. Duke falënderuar forcat e Kosovës për ndihmën, Peleshi u shpreh i bindur se zjarret janë vendosur qëllimisht për arsye të caktuara.

Marketing

“Situata është shumë më e qetë, janë forca të shumta që po punojnë. Sot kemi marrë edhe një forcë shtesë nga Kosova. Dua të falënderoj ministrin Armend Mehaj që ka qenë i gatshëm për të na mbështetur. Janë 66 trupa dhe 9 zjarrfikëse, bashkë me to mendojmë ta vejmë nën kontroll situatën në vatrën e majës së Runës. Kombinimi i punës nga ajri dhe nga toka besoj se do ta eliminojë vatrën”, deklaroi ministri Peleshi nga zona e Kalimashit.

Sipas tij, në përgjithësi, “situata në terren është dinamike, duke shtuar edhe dorën kriminale, tani jam i bindur, i disa personave që për arsye që duhen investiguar, na ndjekin mbrapa, por nuk mund të thuhet se cila ka qenë ndërhyrja më e mirë. Natyrisht që edhe ne nuk jemi perfekt”.